Reshjet e dëborës, probleme në disa zona në Shkodër
Reshjet e dëborës të rëna gjatë 24 orëve të fundit kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në qarkun e Shkodrës.
Sipas informacioneve të fundit, rrugët nacionale në këtë qark janë të kalueshme vetëm me zinxhirë ndërsa mjetet e Drejtorisë Rajonale të rrugëve kanë vijuar pastrimin e dëborës përgjatë gjithë natës së mbrëmshme.
Mësohet se vështirësi në qarkullimin e automjeteve ka në akset e rrugëve rurale të Qafë Thores dhe aksi i Prekalit që lidhet më komunat Shalë, Shosh, Pult, ku trashësia e dëborës në qendër të komunës Shalë është 50 cm.
Gjithashtu, vështirësi ka edhe në rrethin Pukës ku trashësia e borës në Qafë Mali është 60 cm, ndërsa në qytetin e Pukës rreth 15 cm.
Ndërkohë mësohet se në disa zona të Shkodrës ka pasur mungesë të energjisë elektrike. Sipas informacioneve furnizimi me energji elektrike është ndërprerë sot në mëngjes në Bashkinë Pukë dhe Fushë Arrës për shkak të një defekti të linjës së tensionit të lartë në komunën e Fierzës.
Ndërkohë në Malësinë e Madhe, reshjet e dëborës vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Në Aksin rural Selcë-Vermosh trashësia e dëborës është 50 cm, ndërsa akset e tjera nacionale dhe rurale janë të hapura.
