Reagimet e trajnerëve kundërshtar për Shqipërinë
Jo pak është komentuar grupi I, në të cilin gjendet dhe kombëtarja jonë, i cilësuar si një nga grupet me të forta të këtyre eleminatoreve. 5 skuadra do të luftojnë për 3 vënde, 2 që të çojnë direkt në Euro 2016 dhe një që të çon në play-off. Portugalia shihet si ekipi kryesor për të fituar këtë grup, dhe teksa trajneri De Biasi nuk është shprehur shumë i lumtur me shortin, i lumtur nuk ka qënë as trajneri Paulo Bento i iberikëve.
"Teorikisht ne jemi favoritë, por na presin shumë probleme në këto duele. Kemi luajtur jo shumë kohë më parë me Shqipërinë. Barazuam në shtëpi e mezi i mposhtëm atje në minutën e fundit. Megjithatë kemi shanse të mëdha për tu kualifikuar në Euro 2016? - tha trajneri portugez. Portugali-Shqipëri do të jetë ndeshja e parë e grupit, që do të luhet në Portugali në 7 shtator.
Në të njëjtën ide si të gjithë është dhe trajneri i Danimarkës Morten Olsen. Sipas veteranit të pankinës daneze, grupi I është shumë i balancuar, dhe të gjitha sfidat do të jenë të vështira. Sigurisht nuk ka munguar dhe komenti për Shqipërinë nga Olsen, i cili e ka vlerësuar mjaft skuadrën e drejtuar nga de Biasi.
"Ky grup është më i komplikuar nga sa mendojnë njerëzit. Janë të gjitha skuadra të vështira për tu ndeshur. Me Shqipërinë jemi ndeshur disa herë dhe e kemi pasur të vështirë. Tirana është një vënd i vështirë për të luajtur, por e mira është që nuk kemi humbur asnjëherë aty. Kanë një kombëtare të mirë, me shumë lojtarë që luajnë nëpër Europë" - tha Olsen.
Trajneri i Serbisë, Lubimko Drullovic ka theksuar se Portugalia nga grupi I është favorite, ndërsa ka folur me superlative edhe për dy ekipet e tjera si Armeninë dhe Shqipërinë, shkruan B92.
"Kur luan në Tiranë, Shqipëria është kombëtare e papërshtatshme, janë ekip agresiv. Do të jetë vështirë jo vetëm për ne, por edhe për ekipet e tjera. Nëse jemi të vërtetët mund të luajmë kundër tyre. Do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, ka mjaft kohë deri në shtator, do të shohim si do të jetë edhe orari i ndeshjeve" ka thënë trajneri serb.
Ai ka shtuar, se ekipi i tij duhet të luftoj me ekipet tjera në grupin I "Danimarka është shumë e fuqishme, disa herë kanë qenë në grup me Portugalinë dhe u kanë krijuar probleme".
Shqipëria dhe Danimarka do të ndeshen për herë të parë në 11 tetor në Elbasan, që do të jetë ndeshja e parë e Shqipërisë në shtëpi.
