Rama mban debatin për Hagën: Lulzim, çfarë dosje përgatite për sajesën e "Shtëpisë së Verdhë"?Reagon Basha: Lëri shpifjet, shiko nga Infektivi
Akuzat e ngritura nga Gjykata e Hagës ndaj ish drejtuesve të UÇK-së përfshi edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqjen për tu përballur me procesin, kanë shkaktuar akuza dhe përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha. Kritikave të kreut të opozitës në lidhje me situatën e rënduar nga koronavirusi në vend, Kryeministri iu përgjigj duke rikthyer edhe njëherë akuzat e një dite më parë për votimin nga PD dhe LSI të raportit të Dick Marty.
Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot debatin për Gjykatën Speciale në Hagë dhe raportin Dick Marty.
Në vijim të akuzave ndaj presidentit Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për votimin e raportit, kësaj herë ai ka përfshirë kryeopozitarin Basha, ku adreson dhe një pyetje.
Rama: Ilir a mund t'ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?
Nuk ka vonuar dhe përgjigjia e Bashës, i cili konsideron lojëra politike dhe shpifje pretendimet e Ramës.
Basha e fton Kryeministrin të hedhë sytë nga oborri i Infektivit ku të infektuarit me Covid po dergjen në autoambulanca se nuk ka vend për ta.
Basha: Edi Rama leri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin.
Pas Bashës ka reaguar sërish Kryeministri.
Rama: Lulëzim! Mos u fshih pas Covidit dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë!E thuaje cfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty!
Në replikë me Ramën, Basha i kërkon të mos bëjë zëdhënësin e Beogradit.
Basha: Në vend që të bëjë detyrën, Edi Rama bën zëdhënësin e Beogradit. Ai është përgjegjës për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve. Të sëmurët dergjen nëpër ambulanca sepse spitalet janë mbushur plot. Pasi shkatërroi ekonominë ai ka humbur kontrollin mbi pandeminë.
Por Kryeministri nuk ndalet.
Rama: Pse Beogradi nuk e donte raportin e Dick Marty prandaj e miratuat ju Lulëzim! Dhe meqë ra fjala a është e vërtetë që ke përdorur maskë qysh atëherë, kur merrje në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick apo edhe kjo është sajesë e Beogradit? Fol Lulēzim, thuaje të vërtetën!
Të shtunën kryeministri Edi Rama fajësoi PD dhe LSI-në për mbështetjen e raportit të Dick Marty me akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në një mesazh në twitter Rama pyeti publikisht presidentin pse LSI dhe PD votuan raportin e Dick Marty kur PS votoi kundër?
Akuzave të Ramës iu përgjigj Tedi Blushi, zëdhënës i Presidentit, i cili akuzoi ramën për fyerje ndaj luftës së UÇK-së dhe si i lidhur me veglat e UDB-së në Tiranë e Prishtinë.
Edhe ish-ministri i Jashtëm i kohës, Edmond Haxhinasto, në një reagim në rrjetet sociale thekson se Kryeministri ka lënë pa përmendur faktin se edhe përfaqësuesi i PS-së kishte mbështetur hetimin e paanshëm të akuzave të bëra nga Dick Marty.
