Zgjedhjet e reja në Kosovë nuk sjellin paqe, Veliu: Vendi drejt një kolapsi të ri politik
Ndërsa Kosova përgatitet për të mbajtur zgjedhjet e radhës parlamentare, ekspertët paralajmërojnë se ky proces elektoral nuk do të sjellë zgjidhjen e shumëpritur të ngërçit politik. Situata aktuale vlerësohet si një rreth vicioz që po dëmton jo vetëm qytetarët dhe ekonominë, por edhe reputacionin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Në një lidhje online nga Kosova për “Ora News”, analisti Lulzim Veliu theksoi se zgjedhjet e njëpasnjëshme dhe paqëndrueshmëria institucionale kanë larguar interesin e investitorëve të huaj.
Për më tepër, është zbehur vëmendja e faktorit ndërkombëtar, i cili në të kaluarën ka luajtur një rol kyç në zgjidhjen e krizave të tilla.
Në ndryshim nga ngërçet e mëparshme, Veliu u shpreh se duket se edhe ndërkombëtarët tashmë nuk janë më të interesuar të ndërhyjnë, duke ia lënë barrën e plotë lidershipit vendas.
Nisur nga kjo situatë, Veliu u shpreh se kriza mund të thellohet edhe më shumë pas shpalljes së rezultateve. Një forcë politike mund të dalë e para, por pa arritur të sigurojë shumicën absolute për të formuar e vetme qeverinë.
Kjo situatë e bën të pashmangshme dhe jetike krijimin e një koalicioni. Nëse partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje, vendi rrezikon një bllokadë totale, veçanërisht duke pasur parasysh sfidën emergjente për zgjedhjen e presidentit të ri, e cila pason menjëherë pas konstituimit të qeverisë.
Një zgjidhje e sugjeruar për të kapërcyer këtë situatë mbetet krijimi i një koalicioni të gjerë mes subjekteve kryesore. Demokracitë e konsoliduara evropiane, si rasti i Gjermanisë ku forcat e majta dhe të djathta me programe të kundërta qeverisin së bashku, tregojnë se kompromisi në emër të interesit publik është i mundur.
Kjo mbetet rruga e vetme për pushtetarët në Kosovë për të mos e dëmtuar më tej shtetin dhe për të rikthyer normalitetin.
PËR MË SHUMË NDIQNI ANALIZËN E PLOTË ME LULZIM VELIUN


