VIDEO/ Koçiu në Pogradec: Restaurimi i banesave karakteristike nxit turizmin gjithëvjetor

VIDEO/ Koçiu në Pogradec: Restaurimi i banesave karakteristike nxit

Zëvendëskryeministrja Albania Koçiu pa sot nga afër projektin që po zbatohet në qendrën historike të Pogradecit, një investim prej mbi 380 milionë lekësh i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili i jep qytetit një dimension të ri turistik.

E shoqëruar nga kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli, zv.kryeministrja Koçiu vlerësoi projektin, i cili sipas saj, synon të kthejë historinë, arkitekturën dhe kulturën në një motor të zhvillimit ekonomik.

“Përmes restaurimit të banesave karakteristike dhe rijetëzimit të hapësirave publike, ky projekt nxit turizmin gjithëvjetor, rrit vlerën e pronës, fuqizon biznesin lokal dhe e pozicionon Pogradecin si një nga destinacionet më premtuese të turizmit kulturor dhe natyror të Shqipërisë Europiane”, tha Koçiu.

Zv.kryeministrja theksoi se turizmi nuk zhvillohet vetëm në muajt e verës, por punojmë çdo ditë e më shumë për të zhvilluar atraksione turistike e kulturore në të dymbëdhjetë muajt e vitit.

“Këtu së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi bërë një ndërhyrje tërësore jo vetëm në infrastrukturë, por dhe në konservimin e godinave që janë zemra e qytetit. Kemi edhe shtëpitë karakteristike të Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kuteli”, tha Koçiu.

Koçiu theksoi se “një nga objektivat që i kemi vënë vetes është edhe rritja e ditëqëndrimeve të turistëve apo vizitorëve”.

“Duke shtuar atraksionet kulturore, shtëpitë muzeale apo edhe patjetër destinacionet turistike, bëjmë të mundur që të kemi më shumë ditëqëndrimi të turistëve dhe të vizitorëve, më shumë zhvillim të ekonomisë lokale dhe patjetër më pas edhe një Shqipëri më atraktive për të gjithë”, theksoi ajo.

Në bashkëbisedim me banorët, Koçiu i siguroi ata se me këtë investim vlera e pronës së tyre do të rritet.

Ndërsa kryetari i bashkisë Pogradec vlerësoi se ky është investimi më i mirë që është bërë në qytet.

“Me këtë projekt i japim një hov tjetër zhvillimit të turizmit në Pogradec. Sivjet ne do jemi kampionë në turizëm sepse të gjitha këto investime patjetër që do të përkthehen në zhvillim ekonomik”, shtoi ai.

Xhakolli theksoi se për të nxitur aktivitetin në zonë, bashkia ka marrë vendim që vitet e para do të jenë pa tarifa vendore.

Kreu i FShZh-së, Dritan Agolli theksoi se kjo është një zonë model që së bashku me pjesën e ofertës turistike të natyrës dhe të liqenit bëhet komplementare duke kontribuar me shtrirjen e sezonit turistik dhe përtej muajve të verës.

“Ne jemi në përfundim e sipër dhe një sërë dyqane e biznese kanë filluar të rinovojnë, të rikonceptojnë, të mendojnë ndryshe dhe nivelin e shërbimit dhe standardit që ofrojnë. Pra, çdo çliron investime të tjera private dhe ajo që është e rëndësishme është rritja e vlerës së pronës jo vetëm në zonën këtu, por dhe përreth”, tha ai.

EMISIONET