Gjenerata Z po i drejtohet Inteligjencës Artificiale për të gjetur dashurinë

Gjenerata Z po i drejtohet Inteligjencës Artificiale për të

Gjenerata Z po përballet gjithnjë e më shumë me vështirësi në krijimin e lidhjeve romantike, ndërsa ekspertët vërejnë se shumë të rinj po i drejtohen mjeteve të Inteligjencës Artificiale për t’i ndihmuar të nisin bisedat dhe të krijojnë kontakte të reja.

Sipas Jackie Jantos, drejtuese e një prej platformës Hinge, të rinjtë e sotëm vazhdojnë të kërkojnë dashuri dhe marrëdhënie serioze, por shpesh u mungon vetëbesimi për të bërë hapin e parë.

Ajo argumenton se brezi i ri socializohet më pak fizikisht krahasuar me brezat e mëparshëm, duke kaluar më shumë kohë para ekraneve dhe më pak kohë në ndërveprime të drejtpërdrejta me njerëzit.

Sipas saj, kjo ka ndikuar në aftësitë sociale të shumë të rinjve, veçanërisht në krijimin e marrëdhënieve romantike. Pandemia e Covid-19 përkeqësoi më tej situatën, pasi shumë të rinj humbën vite të rëndësishme të zhvillimit social.

“Vitet kur njerëzit mësojnë si të komunikojnë, të flirtojnë dhe të krijojnë intimitet me të tjerët u ndërprenë për shumë të rinj”, tha ajo.

Ndërkohë, studiuesit që merren me marrëdhëniet dhe komunikimin vërejnë se entuziazmi i dikurshëm për aplikacionet e njohjeve ka nisur të zbehet. Shumë përdorues raportojnë atë që ekspertët e quajnë “lodhje nga aplikacionet e takimeve”, pasi përballen me një numër të madh profilesh dhe zgjedhjesh, por jo domosdoshmërisht me lidhje më cilësore.

Profesoresha Carolina Bandinelli, e cila studion marrëdhëniet dhe komunikimin, thotë se aplikacionet u prezantuan si një mënyrë për t’u dhënë beqarëve akses në një numër pothuajse të pafund personash, por në praktikë procesi shpesh rezulton më i ndërlikuar.

“Në shumë raste nuk po zgjedh, por po hamendëson. Mungesa e sinjaleve sociale e bën të vështirë krijimin e një ideje të qartë për personin që ke përballë”, shpjegon ajo.

Për këtë arsye, disa platforma kanë filluar të përdorin mjete të Inteligjencës Artificiale që ndihmojnë përdoruesit të përmirësojnë profilet e tyre ose të gjejnë mënyra më të lehta për të nisur një bisedë.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se teknologjia mund të ndihmojë në krijimin e kontaktit fillestar, por nuk mund të zëvendësojë komunikimin e vërtetë dhe ndërtimin e një marrëdhënieje autentike.

Një tjetër ndryshim që po vihet re te Gjenerata Z është mënyra e kalimit të kohës së lirë. Sipas specialistëve të njohjeve, të rinjtë e sotëm janë më pak të lidhur me jetën e natës dhe kulturën e alkoolit krahasuar me brezat e mëparshëm.

“Ata kanë më shumë gjasa ta kalojnë mbrëmjen në palestër sesa në një bar”, thonë ekspertët, duke theksuar se kjo ka ndryshuar edhe mënyrën se si krijohen njohjet dhe marrëdhëniet romantike.

Ndërsa teknologjia po luan një rol gjithnjë e më të madh në jetën sentimentale të të rinjve, specialistët bien dakord për një gjë, se pavarësisht aplikacioneve dhe Inteligjencës Artificiale, njerëzit vazhdojnë të kërkojnë lidhje të sinqerta dhe marrëdhënie të qëndrueshme.

EMISIONET