LDK gjobitet për përfshirjen e fëmijëve në fushatë

Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 5 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit.
Ankesa është paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga organizata Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një tubim në Viti i kishte dhënë hapësirë në skenë një fëmije me flamur të LDK-së, ndërsa rregullorja zgjedhore ndalon angazhimin e të miturve nën moshën 15-vjeç në fushata zgjedhore.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur ditë më parë për përdorim të fëmijëve në fushatë, në vlerë prej 5 mijë e 100 euro.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, gjatë një tubimi elektoral javën e kaluar, kishte nxjerrë në skenë një vajzë të mitur e cila recitoi një vjershë me mesazhe politike.
PZAP ka bërë të ditur se po trajton edhe gjashtë ankesa të tjera lidhur me përfshirjen e fëmijëve në aktivitete të fushatës zgjedhore.

