BE: Shqipëria anëtarësohet pas Malit të Zi / Liderët europianë: Në fazën finale të negociatave, rruga e duhur për integrimin

Shqipëria merr lajme të mira nga Samiti i Tivatit. Ndërsa Parisi dhe Berlini kërkojnë anëtarësim gradual, Brukseli është i bindur se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur për në BE.
Presidentja e Komisionit, Europian, Ursula Von Der Lajen konfirmoi se Brukseli i ka objektivat e qarta. Mali i Zi anëtarësohet në 2028, pas saj vjen menjëherë Shqipëria.
“Samiti tregon se Ballkani Perëndimor po afrohet me BE. Diskutuam sot se si ky moment të jetë më i fortë. Është zgjedhje strategjike kjo. Bashkëpunim dhe besim. Po besojmë se Mali i Zi mund të bëhet vendi anëtar i 28 në 2028. Shpresojmë që Shqipëria ta ndjekë shpejt dhe gjithë rajoni të lëvizë në këtë drejtim. Propozimet që sjellin përmirësim të procesit, janë të mirëpritura.”
Edhe Presidenti i Këshillit të BE, Antonio Costa shtoi se Shqipëria tashmë ka hyrë në fazën finale, ndërsa idetë e reja të hedhura edhe në këtë Samit në Malin e Zi po konsiderohen vetëm me qëllim për të ecur me objektivat e anëtarësimit.
“Ky është një Samit i sukseshëm. Gjatë turit tim këtë herë në rajon, pashë progresin e kryer nga vendet aspirante. Nga viti 2013, po numërojmë mbrapsht tani për anëtarësimin e radhës, për Malin e Zi, për tu bërë anëtare e 28-të. Javën e kaluar gjithashtu, mbajtëm konferencën e radhës ndërqeveritare, për fazën finale të mbylljes së negociatave. Ka nisur mbyllja e 3 kapitujve për Shqipërinë. Ne po konsiderojmë ide të reja, për të ecur para. Për të rritur interesimin dhe motivimin e vendeve kandidate.”
Kurse i zoti i shtëpisë në këtë Samit, Presidenti Jakov Milatovic, shpresoi ti sjellë fat vendeve të tjera si Shqipëria pas anëtarësimit të Malit të Zi në 2028.
“Mali i Zi do të bëhet një shembull i mirë për vendet e tjera kandidate në Ballkanin Perëndimor, që çon në një qëllim, në anëtarësimin me të drejta të plota në BE. Do të çonte një mesazh për kredibilitetin dhe atraktivitetin e anëtarësimit në BE. Ëndrra europiane është gjallë.”

