Vrasja e gazetarit investigativ grek, arrestohen dy vëllezër 2 vjet pas ngjarjes, njëri pronar i një kompanie pastrimi
Policia ka arrestuar dy persona të lidhur me vrasjen e gazetarit investigati Giorgos Karaivaz, ngjarje e ndodhur mesditën e 9 prillit të vitit 2021, jashtë shtëpisë së tij në Alimos.
Ai sapo ishte kthyer në shtëpi nga ambientet e televizionit STAR ku punonte, kur i janë afruar dy persona të hipur në një motoçikletë të zezë dhe e kanë qëlluar me dhjetë plumba.
Lajmi u raportua në një postim në rrjetet sociale, nga ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Takis Theodorikakos.
“Ne kishim thënë që në momentin e parë se do të bënim gjithçka për të zbardhur vrasjen e Giorgos Karaivaz. Sado kohë të duhet. Pak më parë policia greke arrestoi dy persona – për të cilët është lëshuar urdhër arresti – të përfshirë në vrasjen e gazetarit të ndjerë.Hetimet e EL.AS. u përshpejtua kohët e fundit dhe pati efekt, duke çuar në zbardhjen e një vrasjeje tjetër. Ata që përdorën këtë rast tragjik për të shpifur ndaj Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit, Qeverisë në tërësi dhe Policisë Greke i detyrohen një ndjesë. Po vazhdojmë gjithçka që na nevojitet për zbardhjen e plotë të rastit. Drejtësia tani e ka fjalën” tha ai.
Sipas informacioneve të “Zouglas”, të arrestuarit janë vëllezër, shtetas grekë, të moshës 40 dhe 48 vjeç.
Njëri nga dy vëllezërit është pronar i një kompanie pastrimi.
Inicialet e tyre janë E.L dhe I.L. Dy burrat u arrestuan në Neo Voutza dhe Nikaia.
Të arrestuarit janë persona që kanë pasur rol mbështetës në vrasje, kanë ndihmuar autorët të arratisen dhe kanë marrë pjesë në vëzhgimin e vendit të ngjarjes një ditë para vrasjes.
Këto fakte kanë dalë nga kamerat e sigurisë së zonës.
Së pari, provat janë shfaqur për përfshirjen e tij në rastin e vrasjes së boksierit Haris Kontoiorgis në dhjetor 2021 në Galatsi.