U vra mbrëmë në Greqi, zbulohet biznesi i grekut në Labinot të Elbasanit, vite më parë i ekzekutuan ish-gruan, dyshohet se…
59-vjecari grek Christos Gialias, i ekzekutuar mbrëmë në Mandra të Athinës në Greqi me armë zjarri dhe më pas i djegur brenda mjetit të tij, rezulton pronar biznesi edhe në Shqipëri. Konkretisht në vitin 2007 ai ka themeluar një kompani me qendër në Labinot Fushë të Elbasanit. Objekti i veprimtarisë së kësaj kompanie është tregtia me shumicë e pakicë e mallrave të ndryshëm industrialë, elektroshtëpiake, transport udhëtarësh, hotel dhe bar. Burime konfidenciale nga Greqia bëjnë me dije se 59-vjecari dyshohet se zotëron prona edhe në Tiranë.
Ndryshe nga sa u tha dje se gruaja e tij shqiptare ishte vrarë vite më parë, informacionet e saktësuara orët e fundit bëjnë me dije se në vitin 2018 atij i kanë ekzekutuar me armë ish-gruan greke Frederiki Karzi. Mes autorëve të vrasjes atëherë ishte një shtetas shqiptar, i cili ishte arratisur më parë nga burgu dhe motiv i ngjarjes ishte grabitja. Kur ka ndodhur vrasja, Gialias ishte ndarë me shtetasen greke dhe kishte nisur marrëdhënien me një shtetase shqiptare nga Librazhdi, me të cilën vazhdonte të ishte në një lidhje pavarësisht një ndarje, që dyshohet fiktive, të regjistruar disa vite më parë.
Gialias rezulton pronar biznesesh të mëdha në Greqi, ku janë të punësuar rreth 4000 persona, shumë prej të cilëve shqiptarë. Mësohet se ai qarkullonte me bodyguard, shtetas shqiptarë, të cilët në momentin e vrasjes nuk ndodheshin me të. Gialias rezulton me precedentë penalë, pasi i janë gjetur sasi të mëdha armësh, kryesisht “Kallashnikovë”. Ai gjithashtu ka precedentë në fushën e narkotikëve, si dhe në punësimin e paligjshëm të punëtorëve nga Pakistani në Greqi. Dyshimet e deritanishme të policisë kanë të bëjnë me kontrabandën e cigareve, për shkakun e së cilës janë ekzekutuar shumë krerë të mafias greke vitet e fundit. Pas këtyre vrasjeve policia ka gjetur lidhje të shtetasve nga Europa Lindore dhe Shqipëria, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera hetimi.
Mbrëmjen e djeshme u bë e ditur se një tjetër bashkëpunëtor i Gialias ishte vrarë në 31 nëntor 2023. Bëhet fjalë për 56-vjecarin nga Berati, Thimi Droboniku alias Thimi Prifti. Ai u ekzekutuar në “Palio Faliro” të Athinës dhe vrasja e tij mbetet e pazbardhur. Nuk dihet nëse ngjarjet kanë lidhje me njëra tjetrën, por ka dyshimet se përmes një kushërirës së tij grekë, Gialias furnizonte me cigare Drobonikun. Ky i fundit kishte precedentë penalë në këtë fushë por edhe në tregtinë e kokainës. Madje edhe Gialias kryente tregti me kontejnerë nga Amerika Latine, por ende nuk ka indicie për ndonjë transport të paligjshëm narkotikësh brenda tyre.