Salmonela godet Greqinë, dhjetëra persona me simptoma dhe kontrolle në bizneset ushqimore

Salmonela godet Greqinë, dhjetëra persona me simptoma dhe kontrolle

Një alarm shëndetësor është ngritur në qytetin e Lamias në Greqi, pasi më shumë se 20 persona janë paraqitur me simptoma të dyshuara të salmonelës brenda pak ditësh. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar burimin e infektimit.

Sipas mediave greke, nga data 10 deri më 13 korrik, dhjetëra qytetarë iu drejtuan Urgjencës së Spitalit të Lamias me simptoma si diarre, të vjella dhe temperaturë.

Nga personat e prekur, 12 pacientë janë shtruar në spital për monitorim dhe trajtim në Klinikën e Patologjisë dhe në repartin e shtrimit afatshkurtër.

Numri i rasteve mund të jetë edhe më i lartë, pasi disa persona kanë zgjedhur të marrin trajtim në shtëpi pas konsultave me mjekë privatë.

Hetimi epidemiologjik ka zbuluar se personat e prekur kishin konsumuar ushqim në restorante të ndryshme të qytetit. Ky fakt ka bërë që autoritetet të mos përqendrohen te një biznes i vetëm, por te mundësia e një burimi të përbashkët ushqimor.

Dyshimet kryesore lidhen me një furnizues të përbashkët të lëndëve të para, ndërsa një nga pistat e hetimit është edhe përdorimi i mishit të pulës që mund të ketë qenë i kontaminuar.

Pas konfirmimit laboratorik të një mostre pozitive për bakterin e salmonelës, Spitali i Lamias njoftoi Organizatën Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë (EODY).

Më pas janë aktivizuar strukturat e shëndetit publik në zonën e Fthiotidës, ku inspektorët kanë nisur kontrolle në bizneset e dyshuara dhe po marrin mostra ushqimore për të identifikuar burimin e infeksionit.

Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e rasteve dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të salmonelës.

 

EMISIONET