Kosovë/ Rritja e çmimeve shkakton pakënaqësi, qytetarët: Nuk po mbijetojmë dot!

Rritja e vazhdueshme e çmimeve po shkakton shqetësim te qytetarët në Kosovë, të cilët thonë se kostoja e jetesës po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.
Shumë qytetarë ankohen se çmimet e produkteve ushqimore, energjisë elektrike dhe shërbimeve bazë janë rritur ndjeshëm, ndërsa të ardhurat nuk po e ndjekin të njëjtin ritëm.
Një prej qytetareve, Fatime Hajdari, tha se është habitur nga diferenca e çmimeve mes Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar se në shumë raste produktet në Kosovë janë më të shtrenjta pavarësisht pagave më të ulëta.
“Çmimet janë shumë të larta për standardin e jetesës në Kosovë. Kam qenë në Gjermani dhe u habita kur pashë se shumë produkte janë më të lira atje sesa këtu”, u shpreh ajo.
Edhe qytetarë të tjerë e cilësojnë situatën të vështirë, duke thënë se rritja e çmimeve po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetet familjare. Megjithatë, ka edhe nga ata që mendojnë se çmimet nuk janë problem, duke argumentuar se puna mbetet çelësi për përballimin e kostove.
Ndërkohë, tregtarët theksojnë se në tregjet e kryeqytetit çmimet mbeten më të ulëta se në markete. Sipas tyre, mungesa e investimeve në infrastrukturë dhe vështirësitë ekonomike po ndikojnë si te bizneset ashtu edhe te konsumatorët.
Sipas të dhënave të Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në muajin maj ishin 6.8 për qind më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritjet më të mëdha janë regjistruar në sektorët e transportit, strehimit, ujit, energjisë, gazit dhe shërbimeve të tjera bazë.
Ekspertët paralajmërojnë se inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës vazhdojnë të mbeten ndër sfidat kryesore për familjet kosovare, veçanërisht për pensionistët dhe shtresat me të ardhura më të ulëta.


