Policia zbulon arsenal armësh dhe municioni në Zubin Potok, tri aksione brenda ditës!

Policia e Kosovës sekuestroi armë zjarri, municion dhe pajisje të tjera në tri raste të ndara në komunën e Zubin Potokut.
Fillimisht, gjatë kontrollit në një objekt që shërbente si stallë për ushqimin e bagëtive, u gjetën e sekuestruan një armë zjarri, pesë karikatorë për armë të gjata me gjithsej 151 fishekë, pjesë të uniformës së kamufluar si dhe pajisje ndriçuese me bateri.
Në një tjetër kontroll, po në një objekt të ngjashëm në të njëjtën komunë, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, 74 fishekë të përshtatshëm për atë armë si dhe 254 fishekë për armë të gjata.
Ndërkohë, në rastin e tretë, në një objekt të pabanuar janë zbuluar një pushkë me bajonetë, 11 fishekë për të njëjtën armë, 33 fishekë të armës së gjatë, dy makina për mbushjen e fishekëve të armëve të gjuetisë, rreth 200 gramë barut si dhe rreth dy kilogramë sfera metalike të destinuara për mbushjen e municionit.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha provat materiale janë sekuestruar, ndërsa hetimet lidhur me këto raste po vazhdojnë nga njësitë kompetente policore për zbardhjen e plotë të rrethanave.

