Plani franko-gjerman/ Opozita i kërkon marrëveshje me njohje, Kurti: Këto ja thoni Escobarit
Pranimi i propozimit franko-gjerman nga kryeministri Kurti e ka përballur atë me opozitën në parlament, e cila kërkon marrëveshje finale me njohje të Kosovës nga Serbia. Përballë kritikave, Kurti u sugjeroi deputetëve që këtë qëndrim t'ia shprehin emisarit amerikan Gabriel Eskobar.
Pasi BE dhe SHBA i hodhën në tryezë projektin për të pranuar Asociacionin, Albin Kurti po përballet jo vetëm me presionin ndërkombëtar, por edhe me politikën e brendshme të Kosovës.
Seanca e parlamentit këtë të enjte u shoqërua me debate, ku opozita kërkoi marrëveshje finale me në qendër njohjen nga Serbia.
Për ta kryeministri Albin Kurti si përgjigje dha apelin që t'ia përcjellin kërkesën të dërguarit special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esobar.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, akuzoi se kryeministri vepron pa asnjë konsultë për çështjen kombëtare dhe ka dalë jashtë platformës së prezantuar më parë.
Madje, Arben Gashi, shkoi më tej duke deklaruar se qëndrimi i Kurtit është i rrezikshëm dhe i dëmshëm për Kosovën.
Megjithatë, ndryshe mendon ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Sipas tij Asociacioni është trashëguar nga qeverisjet e shkuara dhe se negociatat janë në rrugën e duhur.