Borrel ftesë Prishtinës e Beogradit: Ejani në Bruksel! Vuçiç: Nuk vij si turist, mos më telefononi!
Shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell ftoi dyshen Kurti-Vuçiç për takim në Bruksel, por presidenti serb refuzon të shkojë pa u krijuar më parë Asociacioni në Kosovë. Edhe Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian përsëriti thirrjen për krijimin e komunave me shumicë serbe, por Albin Kurti këmbëngul duke thënë se Asociacioni nuk është pjese e planit franko-gjerman.
Kur u duk se bashkësia ndërkombëtare u shtroi rrugën për në Bruksel, pas një serie negociatash vajtje-ardhje në Prishtinë e Beograd, Aleksandër Vuçiç vendosi kushtin:
"Nuk shkoj në Bruksel si turist pa u krijuar më parë Asociacioni në Kosovë".
Ishte kjo përgjigjja e rrufeshme që mori Josep Borrell nga i pari i Serbisë të enjten e 9 shkurit, kur e deklaroi publikisht ftesën për takim Kurti-Vuçiç.
Vuçiç: Duhet të ma tregojnë kuptimin e atij takimi me kryeministrin e Kosovës. Nëse mendoni të më ftoni në Bruksel për të më bindur të them që Asociacioni mund bëhet njëkohësisht me diçka tjetër, apo pas diçkaje tjetër, mos më thërrisni! Mos më telefononi! Ju më telefononi te vij turist dhe nuk më intereson, kam qenë në Bruksel 200 herë. Nëse më telefononi, më njoftoni se e kanë dorëzuar Asociacionin. Kur ta dorëzojnë, po vij të flas për çdo gjë tjetër.
Shefi i diplomacisë europiane Borrell tha se e thirri këtë takim për të vazhduar diskutimet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Borrell: Propozimi është në tavolinë. I kam ftuar dy liderët që të vijnë në Bruksel së shpejti, brenda disa javësh, në mënyrë që përfundimisht ta shtyjmë përpara këtë propozim.
Pak më herët nga Prishtina zyrtare, kryeministri Kurti tha se Asociacioni nuk është as parakusht për propozimin evropian, i njohur edhe si plani franko-gjerman, e as në qendër të tij.
Kurti gjithashtu numëroi se janë 11 kryetarë komunash në Serbinë qendrore që nuk janë të kombësisë serbe dhe se Beogradi nuk u jep atyre statusin e Asociacionit.
Vuçiç tha se kjo është "marrëzi dhe pafytyrësi".
Vuçiç: Kurti nuk ka çfarë të diskutojë për Serbinë qendrore, ne kemi një temë për të diskutuar dhe atë. Eshte e vetmja teme ne tavoline. Por kur dikush mendonte se kishte te drejte te behej arrogant, sepse ai ka patronazh te te fuqishem... keto marifete te pakuptimta nuk funksionojne as me mua, as me ndonje tjeter qe e ka seriozisht punen e tyre.
Ndërsa ndasitë Kurti-Vuçiç për Asociacionin duken të pariparueshme, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian në një përpjekje për të pajtuar palët i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë në procesin e dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.
Eurodeputetët në këtë komision mbështetën draft-konkluzionin e Këshillit Europian, ku nga palët kërkohet zbatimi i marrëveshjeve për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.