Pizhamet pushtojnë modën, nga dhoma e gjumit në pasarelë dhe rrugë!

Pizhamet pushtojnë modën, nga dhoma e gjumit në pasarelë dhe

Të pasionuarit pas modës tani po veshin pizhame edhe gjatë ditës dhe jashtë shtëpisë. Kompanitë e modës po i ofrojnë gjithnjë e më shumë veshjet e gjumit si veshje të përditshme. Çfarë fshihet pas këtij trendi?

Trendi i rehatisë në modë ka arritur një kulm të ri. Rrobat me stil pizhamesh dhe këmishët e natës janë tashmë në modë edhe për publikun e gjerë. Në pamje të parë kjo mund të duket e çuditshme, por ka disa arsye të forta pas këtij zhvillimi.

Shumë elegante për t'u veshur vetëm në shtrat

Nga ana estetike, shumë modele pizhamesh janë tepër të bukura për t'u fshehur në errësirën e dhomës së gjumit. Në fund të fundit, ato janë këmisha dhe pantallona elegante me prerje të lirshme, shpesh të punuara me mëndafsh të shkëlqyeshëm ose kadife luksoze. Detaje si qepjet dekorative dhe xhepi në gjoks, i ngjashëm me atë ku vendoset shami e kostumit, të bëjnë të pyesësh nëse janë krijuar vërtet vetëm për të fjetur.

Edhe vijat vertikale janë një element karakteristik. Shumë sete pizhamesh me dy pjesë të kujtojnë kostumet elegante të filmave me mafiozë, ndërsa pjesa e sipërme shpesh ngjan me një këmishë klasike. Ndërkohë, këmishët e natës dhe veshjet intime janë shpesh të zbukuruara me dantella.

Këto stile tashmë ofrohen si nga markat e zakonshme, ashtu edhe nga shtëpitë më të mëdha të modës. Në pasarela dhe në fushatat reklamuese ato prezantohen qartë si veshje për gjatë ditës, brenda dhe jashtë shtëpisë, dhe jo për gjumë. Prada, Michael Kors dhe Dolce & Gabbana janë vetëm disa nga shembujt.

Sipas revistës së modës Elle, pantallonat e stilit pizhame janë "trendi i pantallonave për verën e vitit 2026". Sipas ekspertëve të revistës:

"Pantallonat pizhame janë ndoshta pantallonat më të rehatshme, më të freskëta dhe më të gjithanshme të këtij viti. Ato janë argëtuese, duken bukur dhe janë jashtëzakonisht komode për t'u veshur. Vështirë se mund të kërkosh më shumë nga një palë pantallona."

Moda pa kufij

Pse ky stil është bërë kaq popullor?"Pamja me pizhame zhduk kufijtë mes kohës së lirë dhe punës, mes jetës private dhe asaj publike, mes ambienteve të brendshme dhe të jashtme, duke përcjellë idenë e një jete ku këto ndarje nuk ekzistojnë," shpjegon Carl Tillessen, analist i trendeve dhe drejtor i Institutit Gjerman të Modës në Berlin.

Sipas tij, shumë njerëz ëndërrojnë një mënyrë të tillë jetese."Ata imagjinojnë një punë 100% nga shtëpia, me orar plotësisht fleksibël, pa detyrime për paraqitje zyrtare dhe pa kod veshjeje. Në rastin ideal, edhe klima do të ishte aq e butë sa të mos kishte dallim mes temperaturës brenda dhe jashtë," thotë Tillessen.

Trashëgimia e pandemisë

Ky trend ka një histori pas tij. Pandemia dhe izolimet krijuan terrenin për këtë mënyrë të re të të veshurit. Që atëherë, shumë njerëz kanë vazhduar të punojnë plotësisht ose pjesërisht nga shtëpia.

Fillimisht u përhapën tuta sportive dhe veshjet atletike, të cilat nuk përdoreshin më vetëm për të pushuar në divan apo për stërvitje. Nga aty, kalimi te pizhamet ishte vetëm një hap i vogël, edhe pse dikur do të dukej i paimagjinueshëm.

Më elegante se kostumet sportive

Ndërsa po largohemi gjithnjë e më shumë nga periudha e pandemisë, është rritur edhe dëshira për një pamje më elegante. Njerëzit duan të ruajnë komoditetin, por të shmangin pamjen e rrobave të shtëpisë.

Pikërisht këtë ofron trendi aktual, me kombinime të frymëzuara nga pizhamet, por shumë elegante.

"Në shumë fusha, veshjet jashtëzakonisht komode me të cilat njerëzit u mësuan gjatë izolimit janë bërë normaliteti i ri. Megjithatë, ekziston një vijë shumë e hollë mes rehatisë dhe pakujdesisë në veshje," shpjegon eksperti i modës Carl Tillessen.

Ai kujton edhe një thënie të stilistit Karl Lagerfeld:"Për të mos lënë asnjë dyshim në këtë drejtim, rekomandohet një pizhame prej sateni mëndafshi, e hekurosur me kujdes dhe me detaje dekorative. Ajo tregon qartë se, ndryshe nga ata që shohin televizor me tuta të gjera, ju ende nuk e keni humbur kontrollin mbi jetën tuaj."

Sipas Tillessen, edhe stili i krijuar gjatë izolimit po evoluon."'Athleisure', pra veshjet sportive të përdorura në kohën e lirë, në zyrë apo në aktivitete të tjera të përditshme, po shndërrohet në 'athlegance'."

Ai e përshkruan këtë si një version më elegant, me ngjyra më të rafinuara, materiale më cilësore dhe prerje më të sofistikuara.

"Është një stil shumë më i përshtatshëm për të bërë përshtypje kur hyn në një ambient sesa për të kaluar gjithë ditën duke parë një serial," përfundon Tillessen.

EMISIONET