"Flamingot" që shqetësojnë PS-në, Bici: Protesta nuk ka dështuar, qytetarët po dëgjohen më shumë!
Protesta e njohur si lëvizja e "Flamingove", e nisur fillimisht pas incidentit dhe debatit për projektin në zonën e Zvërnecit, është shndërruar tashmë në një reagim më të gjerë kundër klasës politike në vend. Kështu u shpreh gazetari Bekim Bici në një intervistë për "Ora News", ku analizoi zhvillimet e fundit dhe ndikimin e protestës në skenën politike shqiptare.
Sipas Bicit, protesta ka evoluar nga një reagim qytetar ndaj një çështjeje konkrete në një lëvizje që sfidon të gjithë lidershipin aktual politik, të cilin protestuesit e konsiderojnë përgjegjës për situatën e krijuar gjatë 36 viteve të tranzicionit. Ai theksoi se, pavarësisht rënies së pjesëmarrjes në ditët e fundit, nuk mund të flitet për një protestë të dështuar.
Gazetari vuri në dukje se ulja e numrit të protestuesve lidhet edhe me periudhën e pushimeve verore, ndërsa qytetarët, edhe pse mbështesin kauzën, nuk mund t'u mohojnë familjeve të tyre pushimet e planifikuara prej kohësh.
Duke komentuar deklaratat e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili e cilësoi protestën si një "tullumbace të shfryer", Bici tha se protesta ka prodhuar gjithsesi një efekt pozitiv, pasi ka detyruar forcat politike të ndryshojnë qasjen ndaj qytetarëve dhe shqetësimeve të tyre.
Ai kujtoi se si Partia Socialiste ashtu edhe Partia Demokratike fillimisht e kundërshtuan dhe e panë me skepticizëm protestën, por më pas ndryshuan qëndrim, duke e mbështetur ose duke njohur legjitimitetin e kërkesave të qytetarëve.
Në lidhje me thirrjet "Rama në burg, Berisha në burg", Bici pranoi se ato kanë ardhur fillimisht nga aktivistë të afërt me Lëvizjen Bashkë, të drejtuar nga Arlind Qori, por shtoi se me kalimin e kohës protestës i janë bashkuar edhe qytetarë pa përkatësi të qartë politike.
Në përfundim, gazetari theksoi se e drejta për të protestuar mbetet një e drejtë themelore që duhet të garantohet nga shteti, ndërsa zhvillimet e fundit tregojnë se zëri i qytetarëve po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në debatin politik shqiptar.
Bekim Bici: Kjo për shkak se është një protestë që për hir të së vërtetës lindi nga një incident, por që u shndërrua në një protestë tashmë, të le të themi, kundër të gjithë lidershipit aktual apo klasës politike aktuale, të cilën e konsiderojnë si një klasë politike që është përgjegjëse për atë që ka ndodhur në vendin tonë prej tashmë 36 vitesh në këtë tranzicion që duket se nuk do ta ketë ende afër fundin e tij. Të paktën referuar edhe asaj çfarë po ndodh me protestën. Nëse do të ndalemi tek numrat e protestës, në fakt janë me rëndësi, por që nga ana tjetër numrat kanë treguar që kanë mbështetjen e qytetarëve edhe këta protestues, ndonëse në shesh nuk i shohim në ditët normale.
Pasi vlen të theksohet se ka dhe një lloj lodhje në fund të fundit, por mbi të gjitha është edhe koha kur një pjesë e mirë e qytetarëve kanë marrë pushime dhe patjetër që ndonëse e konsiderojnë emergjente situatën aktuale politike dhe ndryshimet që duhet të vijnë, nga ana tjetër nuk mund t'i mohojnë familjes së tyre atë pushim që e presin prej një viti. Kësisoj, nëse i referohemi numrave, së pari unë do të thoja që nuk mund të flasim për një protestë të dështuar sepse ka dalë teza që kjo protestë tashmë po dështon. I njëjti qëndrim ishte edhe nga ana e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pra nëse i referohemi deklaratës.
Nëse i referohemi deklaratës së kreut të grupit, zotit Taulant Balla, ai u shpreh sot që është një tullumbace tashmë e shfryer, e plasur, pasi sipas tij ajo për të cilën ishin ngritur qytetarët as nuk po preket më.Po, as nuk po preket më si tematikë. Bëhet fjalë pra për incidentin apo edhe për projektin në zonën e Zvërnecit, por është shndërruar në një, si të thuash, betejë, siç e konsideroi ai, një betejë politike ndaj qeverisë aktuale nga forca të ndryshme brenda apo dhe jashtë vendit.
Kësisoj, ndonëse mund të themi që janë rritur goxha ndjeshëm temperaturat, nëse mund të konsiderohet e tillë, nga kjo protestë, mund të themi edhe këtë anën tjetër që protesta të paktën deri në këto momente ka sjellë një rezultat pozitiv, që të gjitha forcat politike po i shohin ndryshe qytetarët, po i shohin ndryshe protestuesit. Nuk mundet dhe asesi nuk po i anatemojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë protestuesit për, le të themi, ngritjen e zërit.
Madje i pranojnë një sërë kërkesash apo shqetësimësh si të drejta, si nga ana e Partisë Socialiste, ndaj të cilës kryesisht sot është e drejtuar protesta, po edhe nga ana e Partisë Demokratike, e cila patjetër shprehet në favor të kësaj proteste. Pavarësisht se duhet theksuar që që të dyja këto forca politike, si forcat kryesore, madhore në vendin tonë në aspektin politik, fillimisht e anatemuan protestën, fillimisht e kundërshtuan protestën, ngritën nota skepticizmi lidhur me ata që po organizonin këtë protestë. Në disa raste, zoti Berisha apo elementë të caktuar brenda Partisë Demokratike e konsideruan si një protestë që po organizohej nga Rama. Zgjati vetëm dy-tre ditë dhe pastaj nga këta kundërshtues kaluan direkt në, u hodhën në, le të themi në mbrojtje të protestës, të paktën opozita, pasi sipas tyre ishte një protestë e drejtë.
E drejta e qytetarëve për të protestuar është një e drejtë e garantuar, që vijon dhe do të duhet të garantohet nga shteti, por që sipas tij, të gjitha ato pretendime pastaj që vijnë nga qeveria. Në fakt, mund të them pjesërisht të drejtë. Pse mund ta konsideroj pjesërisht të drejtë? Është e vërtetë që grupi që e nisi thirrjen "Rama në burg, Berisha në burg" janë mbështetësit e Lëvizjes Bashkë të drejtuar nga zoti Qori.
Është e vërtetë, madje ka pasur disa herë incidente pikërisht mes aktivistëve të Lëvizjes Bashkë dhe Organizatës Politike dhe aktivistëve të forcave të tjera, përfshi këtu ata që le të themi njihen si aktivistë të djathtë apo janë mbështetës të Partisë Demokratike. Dhe mund të themi që pjesërisht. Është e vërtetë, siç e thashë u nis nga këta, por i janë bashkuar në thirrje edhe qytetarë të tjerë, ndoshta pa ngjyrime partiake.

