Pahor: Ballkani Perëndimor duhet të jetë në BE, kështu evitohet ideja për ndryshim kufijsh

Pahor: Ballkani Perëndimor duhet të jetë në BE, kështu

Presidenti slloven edhe një herë ka deklaruar se nuk pajtohet me dokumentin e “non paper” të publikuar një muaj më parë në shtetin e tij slloven. Për më tepër, ai në Prishtinë ka deklaruar se është kundër ndryshimit të kufijve. Borut Pahor ka potencuar se në samitin e Brdo-Brijunit që mbahet të hënën, do t’u kërkojë shteteve anëtare të BE-së që të vazhdojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të evitohet ideja për ndryshim kufijsh.

Kështu ka deklaruar ai pas takimit me homologen nga Kosova, Vjosa Osmani.

E para shtetit tonë në konferencën e përbashkët me presidentin Borut Pahor ka thënë se në takimin e sotëm kanë diskutuar për përgatitjet e nevojshme për procesin e “Brdu-Brijuni” që do të mbahet më 17 maj dhe për nevojën për përshpejtim në integrimin evropian.

Ndërkaq, ka bërë të ditur se kufijtë e Kosovës janë përcaktuar në vitin 2008 dhe se me të njëjtin status do të vijohet edhe në procesin e dialogut.

“Unë e potencova gatishmërinë që Kosova të jetë pjesë e dialogut në Bruksel, gjithnjë duke pasur parasysh që statusi i Kosovës është përcaktuar një herë e përgjithmonë më 17 shkurt, 2008. Dhe po ashtu që kufijtë e vendit tonë dhe rregullimi ynë i brendshëm janë përcaktuar një herë e përgjithmonë më 17 shkurt,  2008. Kosova do të ulet në tavolinë për të trajtuar çështje që vërtetë kanë rëndësi për njerëzit tanë. Siç është për shembull, çështja e personave të zhdukur që duhet të jetë prioritet i prioriteteve në procesin e dialogut”, tha Osmani.

Ajo ka thënë se pret nga Sllovenia që të vazhdojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, arsimit dhe kulturës dhe anëtarësimin në NATO.

Ndërsa, presidenti Pahor tha se në samitin e Brdo-Brijunit do t’u kërkojë shteteve anëtare të BE-së që të vazhdojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të evitohet ideja për ndryshim kufijsh.

“Konstatoj se ndërmjet udhëheqësve në Ballkanin Perëndimor ka ardhur deri te një zvogëlimi i besimit në perspektivën evropiane të kësaj hapësire të Evropës Juglindore. Kjo lidhet me zgjerimit më të ngadalësuar, se që kanë pritur të gjithë kombet përgjithësisht. Është shumë me rëndësi që të vihet deri te një vendim dhe qëndrim i BE-së se zgjerimi i hapësirës së Ballkanit Perëndimor është domosdoshmëri gjeopolitike e kategorisë së parë dhe se BE-ja e sheh këtë hapësirë si tërësi. Kjo do ta përforconte besimin e njerëzve dhe udhëheqësve në perspektivën evropiane, popujve dhe shteteve dhe do të nxiste vullnetin politik për reforma dhe para se gjithash do ta evitonte rrezikun për të menduar për alternativa të rrezikshme duke përfshirë këtu edhe ndryshimin e kufijve mes shteteve”, tha Pahor.

Më tej, ai ka kërkuar nga institucionet e reja të Kosovës që të vazhdojnë dialogun me Serbinë.

“Pushteti i ri në Kosovë duhet të jetë i gatshëm që me tërë fuqinë dhe autoritetin e vet t’i jap dialogut një nxitje të re. Në pjesën e dytë të këtij viti, Sllovenia do të udhëheq BE-në, siç mund të them si kryetar i shtetit, sepse unë nuk jam kryetar i qeverisë, do të doja të thosha që do të doja të paraqiteshin disa nxitje pozitive në këtë drejtim. Testi i parë për të gjithë udhëheqësit në këtë pjesë të Evropës do të jetë takimi të hënën”, ka shtuar ai.

Portali slloven “Necenzurirano.si” publikoi muajin e kaluar një dokument që pretendon se është kopje e dokumentit të dalë nga zyra e kryeministrit slloven Janez Jansha.

Sipas këtij dokumenti, propozohet ri-përcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore me Shqipërinë, por që Pahor në Prishtinë ka thënë se është kundër kësaj.

“Me porosi të “non-paper” për ndryshimin e kufijve nuk pajtohem. Qëndrimi im lidhur me këtë është plotësisht i kundërt që të mos bisedohet për alternativa të tilla për ndryshimin e kufijve. Unë dëshiroj të bind bashkëbiseduesit në BE dhe në Ballkan që të fillohet me procesin e zgjerimit dhe procesin e reformave. Kjo është një domosdoshmëri historike”, ka deklaruar ai.

Nga kush do që dalin këto dokumente, presidentja Osmani po kërkon besim të qytetarëve se krerët e shtetit nuk përkrahin një gjë të tillë. Sipas saj, Sllovenia nuk ka pasur asnjëherë involvim në cilëndo nga aventurat, siç i quajti ajo, për ndryshim të kufijve.

“Ne duhet mbi të gjitha të kemi vetëbesim. Pavarësisht se kush publikon “non papers”, pavarësisht se kush mund të shtyjë ide të ndryshimit të kufijve, e rëndësishmja është që përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, asnjëherë nuk do t’i pranojnë ato”, ka deklaruar ajo.

Më tej, presidenti slloven është pyetur edhe nëse ka marrë ndonjë letër për të ofruar garanci për ish-luftëtarët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

“Nuk mund të them gjë sepse këtë gjë nuk e kuptoj, nuk e ndjek”, ka thënë shkurt ai.

Në konferencën e përbashkët, Osmani ka theksuar se procesi i integrimit evropian është prioritet dhe se për këtë Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave, por që i mbetet BE-së që të mbajë premtimin. Mbështetje ka kërkuar edhe në sigurimin e vaksinave.

“Akoma kemi nevojë për mbështetje sa i përket vaksinave dhe shpresoj shumë që Sllovenia do ta ndihmojë Kosovën në mënyrë simbolike, si afirmim i marrëdhënieve të shkëlqyeshme dhe miqësisë së fortë ndërmjet dy vendeve tona. Sepse siç thotë edhe populli ynë, por besoj edhe popujt e tjerë, ‘miku i mirë gjithmonë gjendet në ditë të vështira’. E Sllovenia gjithnjë ka ditur që t’i qëndrojë Kosovës në krah në ditë të vështira”, tha Osmani.

EMISIONET