Kurti për përvjetorin e opinionit të GJND-së: Forcoi themelet e shtetësisë së Kosovës

Kurti për përvjetorin e opinionit të GJND-së: Forcoi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar përvjetorin e opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si një moment historik për shtetin e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare.

Kurti tha se vendimi i GJND-së, i cili konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, i dha fund një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës.

“Duke konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, GJND-ja i dha fund një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë dhe mëvetësisë sonë”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë riafirmoi rëndësinë e paqes, lirisë dhe vetëvendosjes demokratike, duke sqaruar se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë.

Kurti vlerësoi se ky vendim forcoi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe mbetet një pikë referimi në historinë juridike të vendit.

“Për Kosovën, ky ishte një moment që forcoi themelet e subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, deklaroi ai.

Ai shtoi se trashëgimia e këtij opinioni duhet të ruhet përmes institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe zhvillimit të vazhdueshëm të Republikës së Kosovës.

Opinioni këshillues i GJND-së u shpall më 22 korrik 2010, pasi Serbia kishte kërkuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara një vlerësim për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

EMISIONET