"Non paper-i" slloven mobilizon intelektualët nga ish-Jugosllavia: Ndalni planet e Vuçiç, Thaçi dhe Rama për kufijtë

"Non paper-i" slloven mobilizon intelektualët nga

256 intelektualë nga vendet e ish-Jugosllavisë i janë drejtuar me një letër të hapur publike BE, SHBA dhe NATO-s, ku dënojnë  “non paper”-in slloven të kryeministrit Janez Janša,  rrjedhja në media e të cilit ka ngallur jo pak debate në rajon.

Në letrën e  publikuar në faqen online të Komitetit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e cila ka edhe firmat e disa intelektualëve nga Kosova, dënohen idetë e hedhura për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor sipas linjave etnike.

Firmëtarët akuzojnë presidenti serb Alekasandër Vuçiç dhe  homologun e tij në Kosovë Hashim Thaçi që e  mbështetën këtë ide.

“Përqafimi i ndarjes së propozuar të Kosovës të bërë në verën e vitit 2018 nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi, që u shit si “shkëmbimi i territoreve”, “demarkacion” dhe “korrigjim i kufirit”, së pari nga Federica Mogherini e BE, pastaj nga qeveria amerikane, devijoi nga gati dy dekada e politikës transatlantike (dhe në rastin e Amerikës, bipartizane).

Axhendat nacionaliste të papërmbushura në të gjithë vendet morën menjëherë frymëzim. Endrrat e ndezura etno-nacionaliste nuk u zhdukën kurrë në Ballkan; ato ishin shtypur dhe penguar nga një Perëndim që shpresonte se procesi i zgjerimit të BE do të shmangte nevojën e parandalimit.

Udhëheqësi serb boshnjak Milorad Dodik kishte kohë që mbështeste shpërbërjen shtetërore të Bosnjë dhe Hercegovinës, kështu që përdorte pikën e re të bisedimeve. Vuçiç foli qartë për nevojën për marrëdhënie të mira midis “serbëve dhe shqiptarëve”, me implikime të qarta se kufijtë në rajon nuk janë të shenjtë, por të negociueshëm” – thuhet ndër të tjera në letër që më pas përmend “non paper”-in e famshëm slloven.

“Si rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj politike moralisht pa timon, javën e kaluar, ne arritëm një minimum të ri. Teksa vërtetësia e dokumentit është ende në diskutim, kjo “non paper” e pretenduar si e paraqitur nga Kryeministri Slloven Janez Janša propozon bashkimin e shqiptarëve, serbëve dhe kroatëve në rajon, ndarjen e Bosnjes, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, por duke e lënë çuditërisht Malin e Zi të padëmtuar dhe duke mos prekur Sanxhakun e Serbisë.

Cilado qoftë origjina e “non paper”-it, pa dyshim që vjen nga një grup besnik i pasuesve të axhendave të tilla etno-nacionaliste. Qëllimi i rendit të parë mund të jetë që ndryshimet e kufijve në këtë nivel të duken të arsyeshme, por askush nuk duhet të mashtrohet në besimin se përpjekjet për të arritur këto qëllime mund të bëhen pa dhunë masive dhe lëvizje të detyrueshme të popullsisë.

Shumë në “anën e gabuar” të linjave ekzistuese dhe të parashikuara në harta do të prekeshin – dhe ata e dinë atë” –  vijon më tej letra që përmend edhe kryeministrin Edi Rama si mbështetës të ideve të ndryshimit të kufijve.

“Kryeministri shqiptar Edi Rama – shef kombëtar i vetëquajtur udhëheqës dhe një nga përfituesit e mundshëm të një ndryshimi të tillë – pretendon të ketë diskutuar këtë “non paper” me Janša” – thuhet në letër e cila mbyllet me një kërkesë që ide dhe dokumente të tilla të dënohen dhe refuzohen hapur nga BE dhe SHBA.

"Non paper-i" slloven përfshiu një ditë më parë në debat edhe kryeministrin Rama me gazetën austriake "Der Standard", e cila në një artikull të saj i referohej shefit të qeverisë shqiptare si një dëshmitar që kishte deklaruar se e ka parë non-paper-in dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufijve.

Mirëpo në një postim në “Twitter”, tha se gazeta ka përhapur një “Fake News”, pasi ai s’kishte thënë kurrë asnjë gjë në lidhje me këtë.

“Çfarë zhgënjimi për të parë një gazetë kaq me reputacion të lartë të sillet si një përhapës i lajmeve të rreme! Unë kurrë nuk kam thënë ndonjë gjë në lidhje me “Non paper dhe hartën” dhe kurrë nuk kam mbështetur ndonjë vizatim kufiri përgjatë vijave etnike midis Serbisë dhe Kosovës! E turpshme”– shkruajti Rama.

 

 

 

EMISIONET