Nata finale e garës ndërkombëtare të muzikës klasike në Mitrovicë, shpallen fituesit!

Nata finale e garës ndërkombëtare të muzikës klasike

Në Mitrovicë është mbajtur nata finale e edicionit të dytë të garës ndërkombëtare të muzikës klasike, e zhvilluar në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.

Organizatorja e garës, Saranda Kosumi Syla, tha se ky edicion ka sjellë disa risi të rëndësishme, duke përfshirë për herë të parë instrumentet frymore si flauti, klarineta dhe trompeta, si dhe disiplinën e perkusionit dhe daulleve.

Sipas saj, përfshirja e këtyre instrumenteve është një hap i ri për skenën muzikore në Mitrovicë dhe synon të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e talentëve të rinj.

Fitues të këtij edicioni u shpallën Lir Hajrizi dhe Sara Ramadani, të cilët u shprehën të lumtur për arritjen e tyre dhe vlerësuan organizimin e garës.

Hajrizi tha se fitorja e tij e parë në një finale të tillë është një moment i veçantë, ndërsa Ramadani theksoi se pjesëmarrja dhe vlerësimi nga një juri profesionale është një motivim i madh për artistët e rinj.

Edhe fituesja e edicionit të kaluar, Sibora Resyli, u shpreh e kënaqur që puna dhe përkushtimi i saj u shpërblyen.

Në Mitrovicë, sipas organizatorëve, aktivitete të tilla muzikore po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke ndihmuar në zhvillimin e skenës kulturore dhe artistike në qytet.

EMISIONET