Ministri serb i Mbrojtjes mohon raportet për dërgimin e materialit luftarak në Ukrainë
"Serbia nuk ka asnjë përfshirje në luftën në Ukrainë," tha ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç, duke mohuar raportet se Beogradi po furnizon ushtrinë ukrainase me materiale lufte.
Deklarata vjen pas publikimit të një dokumenti sekret të zbuluar nga Pentagoni amerikan, i cili e rendit Serbinë ndër “vendet që kanë dhënë pëlqimin për dërgimin e materialeve luftarake në Ukrainë".
Millosh Vuçeviç i përshkroi këto pretendime si keqdashëse.
“Të paktën dhjetë herë e kemi përgënjeshtruar, do ta bëjmë edhe një herë. Serbia nuk ka shitur dhe as nuk do t'i shesë armë palës ukrainase apo ruse dhe as vendeve që i rrethojnë.Disa duket se po përpiqen ta tërheqin Serbinë në këtë konflikt, por ne po rezistojmë duke ndjekur qëndrimin tonë të vendosur të neutralitetit," tha ministri serb i Mbrojtjes për agjencinë e lajmeve Tanjug.
Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësinë që disa vende të treta të blejnë armë nga Serbia dhe më pas t'i promovojnë ato në ushtrinë ukrainase, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare.
Çështja e shitjes së municioneve serbe në Ukrainë u ngrit për herë të parë në fund të vitit 2022 kur media shtetërore ruse transmetoi video të operacioneve ushtarake ukrainase që tregonin se predhat e mortajave ishin me origjinë serbe.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe industria ushtarake “Krusik” që prodhon raketat në fjalë, mohuan raportimet ruse dhe pretenduan se në Ukrainë nuk është eksportuar asnjë material luftarak.
Më 2 mars 2023, përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi në një konferencë për shtyp se ka informacione për përdorimin e pajisjeve ushtarake serbe nga ushtria ukrainase.
Beogradi ka lëshuar një përgënjeshtrim të ri me gojën e presidentit të Republikës, Aleksandër Vuçiç.
Vihet re se Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa nga ana tjetër ka votuar pro të gjitha rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë pushtimin rus në Ukrainë.