Zana Spahiu në krye të RTK-së/ Bordi zgjedh unanimisht drejtoreshën e re të përgjithshme

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka zgjedhur Zana Spahiun në postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të transmetuesit publik.
Vendimi u mor me votim unanim nga anëtarët e Bordit, pas procesit të intervistimit dhe vlerësimit të kandidatëve, ku Spahiu rezultoi kandidatja më e vlerësuar.
Ajo grumbulloi 90.7 pikë nga anëtarët e Bordit të RTK-së, duke u renditur e para mes gjashtë kandidatëve që garuan për këtë pozitë.
Në garë për drejtimin e transmetuesit publik ishin Lorik Arifaj, Antigona Baxhaku, Arbër Geci, Nexhmedin Spahiu, Zana Spahiu dhe Hysen Hundozi.
Me këtë vendim përfundon procesi i përzgjedhjes së drejtuesit të ri të RTK-së, ndërsa Zana Spahiu do të nisë mandatin e saj trevjeçar në krye të institucionit publik të medias në Kosovë.


