Kthesë në veri të Kosovës/ Prokurorët serbë të dorëhequr kërkojnë rikthimin në sistemin e drejtësisë

Kthesë në veri të Kosovës/ Prokurorët serbë

Një zhvillim i ri është shënuar në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Afër 20 prokurorë dhe pjesëtarë të stafit mbështetës nga komuniteti serb kanë kërkuar të tërheqin dorëheqjet e tyre dhe të rikthehen në institucionet e Kosovës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar njoftime zyrtare për tërheqjen e dorëheqjeve nga punonjës të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të cilët më herët ishin larguar nga sistemi.

Sipas KPK-së, kërkesat i janë dërguar kryesuesit të Këshillit, Arian Gashi, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet në një nga mbledhjet e ardhshme.

Largimi kolektiv i zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës ndodhi në fund të vitit 2022, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale të lëshuara nga Serbia. Në atë kohë, rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë dhanë dorëheqjen në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Çështja e rikthimit të tyre është rikthyer në fokus pas kërkesës së ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, drejtuar institucioneve të drejtësisë për përfundimin e procedurave lidhur me këto dorëheqje.

Bashkimi Evropian ka deklaruar se rikthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë po trajtohet edhe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duke kërkuar nga të dyja palët krijimin e kushteve për riintegrimin e personelit të drejtësisë.

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se rikthimi i pjesëtarëve të komunitetit serb në institucione nuk duhet të trajtohet si çështje politike, por si një proces juridik dhe kushtetues./Radio Evropa e Lire

 

EMISIONET