Kryediplomati italian vizitë pune në Beograd. Në fokus, Ballkani Perëndimor
Stabilizimi i Ballkanit Perëndimor, integrimi europian i këtij rajoni e problematikat e emigracionti do të jenë në fokusin e misionit diplomatik të vizitës së sotme në Beograd të Minsitrit të Jashtëm italian, njëherësh zëvendës kryeministër i qeverisë "Meloni", Antonio Tajani.
Italia ka nisur fazën e parë të strategjisë së saj për të zgjeruar bashkëunimin e aktivitetin ekonomik me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kryediplomati italian do të marr pjesë në të parin "Forumi i Biznesit dhe Shkencës" italo-serb me praninë e Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vucic.
Sipas Ministrisë së Jashtme gjatë këtij misionit në Beograd të kryediplomatit italian, janë parashikuar edhe bisedime dypalëshe Tajani- Vuçiç, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme serbe Ivica Daçiç.
Ministri i Jashtëm italian do të trajtojë cështjet kryesore të politikës aktuale ndërkombëtare dhe rajonale, me fokus të veçantë në dosjen e migracionit, stabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian të rajonit.
Në qendër të axhendës së Forumit të Biznesit janë mundësitë për të forcuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe shkencor midis dy vendeve, veçanërisht në sektorët e inovacionit, tranzicionit të gjelbër dhe të energjisë, infrastrukturës dhe agroteknologjisë. Mbi 150 kompani italiane dhe po aq serbe do të marrin pjesë në aktivitet, me rreth 400 takime me njëri tjetrin. Pjesëmarrës janë edhe ministrat e Energjisë, Mjedisit, Bujqësisë dhe Infrastrukturës serbe.
Partneriteti ekonomik mes Italisë e Serbvisë do të forcohet edhe nëpërmjet nënshkrimit të një sërë marrëveshjesh dypalëshe në sektorët e infrastrukturës, inovacionit, bashkëprodhimeve filmike, bujqësisë dhe financave. Për të vulosur vrullin e rinovuar në bashkëpunimin italo-serb, ministri Tajani dhe homologu i tij Ivica Dacicdo të nënshkruajnë një Deklaratë për krijimin e Komitetit të Përbashkët Ekonomik.
Misioni, i cili pason vizitën e fundit të ministrit Tajani në Beograd më 22 nëntor, përfaqëson vazhdimin e parë operacional të Konferencës Kombëtare, mbajtur në Trieste më 24 janar, e në përputhje me strategjinë e rinisjes së veprimit italian në Ballkanin Perëndimor.