KQZ zbulon afatet/ Ja kur pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë

KQZ zbulon afatet/ Ja kur pritet të shpallen rezultatet përfundimtare

Kosova pritet të mësojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare brenda fundit të muajit qershor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i numërimit dhe verifikimit të votave po vijon në të gjitha komunat, ndërsa certifikimi i rezultateve pritet të përfundojë në fillim të korrikut.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri me dije se institucioni planifikon shpalljen e rezultateve përfundimtare më 26 qershor, ndërsa certifikimin e tyre deri më 6 korrik.

Ai sqaroi se afatet varen edhe nga proceset ankimore që mund të zhvillohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe në Gjykatën Supreme.

Sipas KQZ-së, numërimi i votave për kandidatët për deputetë ka nisur në disa komuna dhe pritet të përfundojë brenda pak ditësh. Paralelisht po bëhet verifikimi i votave për subjektet politike.

Procesi ende nuk është mbyllur, pasi mbeten për t’u numëruar votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato të diasporës, të ardhura përmes postës dhe përfaqësive diplomatike.

Elezi bëri të ditur se për votimin me postë ende nuk janë pranuar të gjitha pakot me fletëvotime, ndaj numri përfundimtar i votuesve nga diaspora nuk është konfirmuar. Para numërimit do të kryhet edhe verifikimi për të shmangur rastet e votimit të dyfishtë.

Sipas të dhënave paraprake, për votimin me postë janë regjistruar mbi 104 mijë votues, ndërsa në përfaqësitë diplomatike kanë votuar më shumë se 22 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Rezultatet preliminare nxjerrin fituese Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit me 42.91 për qind të votave. Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me 21.08 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60 për qind, Aleanca me 7.17 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind.

Zgjedhjet e 7 qershorit ishin të tretat që mbahen në Kosovë brenda më pak se një viti e gjysmë, pas dështimit të legjislaturës së kaluar për të zgjedhur presidentin brenda afateve kushtetuese.

EMISIONET