Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Organizata: Dëshmi e nevojës së vazhdueshme për drejtësi
Gjyqi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, është parë nga Organizata për të drejtat e njeriut si dëshmi e nevojës së vazhdueshme për drejtësi. Deklarata vjen pak ditë para fillimit të gjykimit ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights VVatch” tha të premten se gjykimi i ish-udhëheqësit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre të tjerëve, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, vë në pah nevojën e vazhdueshme për drejtësi, 24 vjet pas luftës në Kosovë.
Deklarata e organizatës vjen pak ditë para fillimit të gjykimit ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Procesi ndaj tyre pritet të fillojë të hënën me 3 prill në Gjykatën e Posaçme me seli në Hagë. Drejtori për Evropën dhe Azinë Hugh Williamson, vuri në dukje se ky gjyq është ndaj katër personave të akuzuar për kryerjen e krimeve të tmerrshme gjatë dhe pas luftës, kur luftimet ishin ndalur, duke përfshirë krimet kundër pjesëtarëve të grupeve të ndryshme etnike.
Sipas organizatës “Human Rights Watch”, mbrojtja e dëshmitarëve është veçanërisht e rëndësishme për këtë gjyq duke pasur siç thuhet parasysh sfidat me frikësimin e dëshmitarëve në rastet tjera kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Gjyqi ndaj (Hashim) Thaçit mund të ndihmojë në vendosjen e Kosovës në një rrugë më të qartë drejt drejtësisë dhe sundimit të ligjit pas një historie shtypjeje”, bëri të ditur Williamson.
Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, u arrestuan në nëntor të vitit 2020.
Të gjithë kanë thënë se ndjehen të pafajshëm përballë akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë, e cila i ngarkon ata për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, dhe zhdukje me forcë të personave.
Sipas prokurorisë, krimet e pretenduara prej saj, janë kryer midis afërsisht prillit të vitit 1998 dhe gushtit të vitit 1999 në një numër vendndodhjesh në Kosovë dhe Shqipëri.