Dashevci: Nuk do të lejohet vakuum sigurie në Kosovë, Rusia ka patericën e saj në Ballkan që është Serbia

Në një botë të përfshirë nga vorbullat e pasigurisë, nga sulmet e fundit në Iran e deri te lufta e zgjatur në Ukrainë si pasojë e provokimeve të Vladimir Putinit, vëmendja po rikthehet fuqishëm drejt Ballkanit. Frika e krijimit të një vakuumi sigurie në këtë rajon të ndjeshëm ka vënë në lëvizje mekanizmat më të lartë mbrojtës ndërkombëtarë, veçanërisht për të garantuar stabilitetin e Republikës së Kosovës.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, ka deklaruar në një lidhje të drejtpërdrejtë për "Ora News" se aleanca e NATO-s dhe misioni i KFOR-it nuk do të lejojnë asnjë destabilizim apo vakuum sigurie në Kosovë, teksa vuri në dukje se rajoni po përballet me luftën hibride dhe propagandën ruse, e cila në Ballkan gjen mbështetje te Serbia.

" Krijimi i vakuumit në Ballkan, duke pasë parasysh sensitivitetin që ndodhemi në Ballkan. Kjo është ajo më e rëndësishmja. Kësaj i përket Republika e Kosovës. Atje janë marrë veçse vendime, do të merren vendime edhe sot.

Se çështja e bashkëpunimit rajonal mes shteteve anëtare të NATO-s, janë 32 shtete, ku të gjithë thuajse po çohen nga letargjia dhe po i përmbushin ato aftësitë e sigurisë, që duhet ta mbrojnë gjithsecili vendin e tyre dhe të kujdesen për vendin e tyre, duke pasë parasysh se në çfarë vorbulla të pasigurisë është bota momentalisht, në Iran ku kanë filluar prapë sulmet mbrëmë.

Dhe paramendoni, pesë vite e gjysmë Evropa gjendet në luftë me provokimin e Putinit në Ukrainë. Është roli strategjik i Turqisë.

Për atë arsye ka edhe shumë rëndësi ky samit, si fuqia e dytë në NATO. Dhe pastaj edhe KFOR-i në Republikën e Kosovës, pra misioni i NATO-s në Republikën e Kosovës që do të mbetet. Nuk do të lejohet asnjë destabilizim, nuk do të lejohet asnjë vakuum i sigurisë dhe nuk do të lejohet lufta hibride, duke pasë parasysh që Rusia është në vorbullën më të madhe, në vlugun më të madh të luftës hibride në Evropë, por e ka edhe patericën e saj në Ballkan që është Serbia. Dhe këto propaganda me këtë luftë hibride, dezinformim, sabotazh dhe çkado tjetër, në aspektin e luftës hibride, po iu kundërvihet e gjithë Evropa, por edhe gjithë kjo pjesa tjetër e NATO-s, por edhe Republika e Kosovës me të vërtetën. Dhe kjo është shumë me rëndësi, që të mbesim vigjilentë dhe të mbështetemi në aleatin shumë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në aleancën më të madhe në botë, NATO-n", u shpreh Dashevci.

Ndiqni intervistën e plotë:

EMISIONET