BALLKANI NËN SMOG/ Ndotja nga grimcat, më e larta në Evropë

Ballkani Perëndimor rezulton rajoni më i ndotur në Evropë gjatë dimrit. Studimi i publikuar nga “The Guardian” tregon nivele alarmante të ndotjes nga grimcat. Ekspertët paralajmërojnë pasoja serioze për shëndetin dhe kërkojnë masa urgjente.

BALLKANI NËN SMOG/ Ndotja nga grimcat, më e larta në Evropë

Kur flitet për qytetet më të ndotura në botë, zakonisht përmenden Delhi apo Pekini. Por të dhënat e fundit tregojnë se ndotja ekstreme është shumë më afër Evropës, në Ballkanin Perëndimor.

Sipas një studimi të publikuar nga gazeta britanike The Guardian, ndotja nga grimcat në Ballkan është më e larta në Evropë dhe, në disa ditë dimri, tejkalon edhe nivelet e regjistruara në Pekin.

Ekspertët thonë se dioksidi i squfurit dhe ndotës të tjerë në rajon janë deri në 30 herë më të lartë se mesatarja e Evropës Perëndimore.

Hulumtimi u krye nga Instituti Paul Scherrer në Zvicër, i cili monitoroi ndotjen në Sarajevë duke përdorur sensorë të avancuar të vendosur në një automjet lëvizës.

Matjet treguan se kufijtë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë u tejkaluan për 66% të kohës, shpesh me nivele tetë herë më të larta se norma e lejuar.

Zonat më të ndotura rezultuan lagjet e banimit, ku ndotja shkaktohet kryesisht nga ngrohja e shtëpive me dru, qymyr dhe mbetje, si dhe nga automjetet e vjetra. Një makinë mesatare në Sarajevë është 19 vjeç, gati dyfish më e vjetër se në vendet e Evropës Perëndimore.

Ekspertët vlerësojnë se rreth 3,300 persona humbin jetën çdo vit në Bosnje dhe Hercegovinë si pasojë e ndotjes së ajrit.

Ata rekomandojnë izolimin e shtëpive, zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin drastik të përdorimit të sobave, me synimin për të ulur ndotjen deri në 90% brenda vitit 2033.

Studimi paralajmëron se pa masa të menjëhershme, ndotja e ajrit do të mbetet një nga kërcënimet më serioze për shëndetin publik në Ballkanin Perëndimor.

EMISIONET