Asociacioni/ Maloku: Kurti po kërkon mënyra për ta kryer këtë punë, qetësia e Tiranës nuk është për t'u lavdëruar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kushtëzuar me 6 pika krijimin e Asociacionit. Politologu, Albinot Maloku, tha për Rtv Ora se ka një zbutje të qëndrimeve të Kurtit ndaj statusit të ri të serbëve.
"Qasja politike e Kurtit ndaj Asociacionit ka pësuar ndryshime. 6 pikëshi i Kurtit le përshtypjen se do të gjejë metoda si të kryhet dhe kjo çështje".
Por në këtë drejtim ai nuk e sheh politikën të unifikuar dhe për këtë bën përgjegjës qeverinë.
"Qeveria nuk po do të ketë asnjë përafrim me opozitën. Nuk po lë hapësira për bashkëpunim".
Politologu thotë se është skeptik ndaj planit franko-gjerman pasi nuk ofron një zgjidhje të qëndrueshme.
"Ky plan nuk përmbyll çështjen mes Kosovës dhe Serbisë. Në 10 nenet e saj që nuk shoh përmbylljen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë".
Ai kritikoi edhe heshtjen e qeverisë në Tiranë në momente deçizive për Kosovën.
"Shqipëria do të duhej të kishte një qëndrim shpjegues qoftë për Asociacionin qoftë për planin franko-gjerman. Kjo qetësi e qeverisë në Tiranë nuk është për tu lavdëruar, për të mos thënë që është për shumë kritika".