Që nesër RENEA të mos mësyjë në një televizion tjetër

Që nesër RENEA të mos mësyjë në një

Nëse hyn në ambientet e televizionit Ora dhe Ora News në të dy krahët e korridorit gjen fotosekuenca të ngjarjeve ndër vite. Rrugëtimi nis më 31 janar 2007 me transmetimin e sinjalit të parë televiziv dhe që prej asaj dite mikrofoni i Ora News, më pas dhe i RTV Ora bashkë me kamerat janë atje ku janë problemet e qytetarëve, ku shenjohen ngjarje që mbeten në memorien e një kombi.  

Me të te përmbyturit në Shkodër; me deputetët e ngujuar në Kuvend kundër ndryshimeve kushtetuese, (2008) me Pavarësinë e Kosovës, me të dëmtuarit nga shpërthimi në Gërdec ( 15 mars 2008); me deputetët socialistë në çadrën e grevës së urisë para kyeministrisë; me protestën e 21 janarit 2011.

Mikrofoni i Ora News ishte  në çdo qendër votimi, kudo, anembanë Shqipërisë për zgjedhje vendore dhe të përgjithshme; ishte me sondazhet e realizuara nga IPR Margeting në bashkëpunim me Ora News pavarësisht se gjithmonë u sulmuan, si nga e majta dhe e djathta. Pavarësisht kësaj, gjithmonë rezultati ishte kokë më kokë me rezultatin e KQZ-së.   

Për të ardhur më afër me kujtesë. Ekrani i Ora News, website www.oranews.tv por dhe kanalet tona në Youtube, rrjetet sociale Facebook, instagram, twitter  bënë jehonë protestës së studentëve si asnjë media tjetër.   

 Veç transmetimeve live në ekran,  transmetimet live maratonë ishin edhe në plaftormat sociale, facebook, youtube. Vijuam më pas me protestat e opozitës,  u dhamë zë artistëve dhe kauzës për mbrotjen e Teatrit Kombëtar, kur shumë televizione mbyllën dyert.

Ishim në zonat e shkatërruara nga tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit 2019 dhe së fundmi ndërmorëm një mision të rëndësishëm për të informuar dhe  sensibilizuar shikuesit në këtë kohë pandemia COVID-19.    

Por le të kthehemi tek rrugëtimi ynë në godinën e RTV Ora dhe Ora News.  

Nëse vijon të ecësh nëpër korridoret e godines, në çdo cep gjen foto shoqëruar me emrat e gazetarëve, operatorëve, montazhierëve, teknikëve që kanë punuar dhe punojnë çdo ditë. Gjen foto nga studiot e emisioneve ku debati synon të zbulojë të vërtetën. 

Ishte ideja e bordit drejtues të Yldon Media Group me rastin e 10 vjetorit të krijimit të Ora News, në shenjë mirënjohjeje për të kujtuar se secili aty ka vendosur një gur për të qenë Ora News dhe RTV Ora këtu ku është sot. 

E dini pse? Sepse RTV Ora dhe Ora News janë porta që mirëpesin çdo gazetar, qoftë i ri dhe pa eksperiencë, por me pasion, qoftë edhe me eksperiencë. Çdo autor programesh, moderator, analist, gazetar ka hapësirën me profil të pavarur editorial për të kryer misionin e tij mbi bazën e paanshmërisë e profesionalizmit/ 

RTV Ora dhe Ora News, janë dritare për qytetarët që duan të informohen me korrektësi dhe në kohë reale për ngjarjet që i rrethojnë; të dëgjojnë mendimin ndryshe; të kuptojnë të vërtetat që qeveria apo edhe kryetari i bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj nuk i pëlqen.

Prandaj vendimi i sekuestrimit të RTV Ora dhe Ora News duhet riparë. Sepse dy televizionet janë më shumë se godina prej tulle e llaçi në pronësi të Ylli Ndroqit, presidentit të" Yldon Media Group". Janë institucione informimi ku punojnë gazetarë, e jo kriminelë, apo vrasës, të cilët duhet të rrethohen nga RENEA, siç ndodhi më 3 gusht.

Janë të qytetarëve të cilët zgjedhin të informohen në RTV Ora dhe Ora News. Madje dhe trokasin në dyert e dy televizioneve për të zgjidhur hallet, për ta të mëdha, por për qeverinë probleme të vogla pasi i duhet të merret me PPP-në e radhës.  

Duhet të jesh shumë naiv të mos e lexosh këtë si sulm politik ndaj fjalës së lirë dhe të mos reagosh. 

Dje u mbyll televizioni “Agon Channel”, sot në shënjestër është RTV Ora dhe Ora News, nesër RENEA do të jetë në oborrin e një tjetër televizioni, nëse nuk ndërgjegjësohemi. Sa më shumë media të mbyllen aq më pak liri të fjalës ka. Këmbanat e alarmit po bien.
 

EMISIONET