"Zhduket" Rama, McGonigal bashkon demokratët: Anuloni votimin! Bardhi: Po i hiqni të drejtën e fjalës 54 deputetëve

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu nga foltorja e Kuvendit ka kërkuar që Kuvendi të marrë në konsideratë kërkesën e tyre për mocion me debat pa limit kohor për çështjen ‘Mcgonigal’.

Ai tha se procesverbali i paraqitur nga Kuvendi nuk është i saktë.

“Procesverbali i paraqitur para nesh sot nuk është i saktë. Ai ka mungesa thelbësore në atë që ndodhën në seancën e kaluar. Ajo që ndodhi dje është një ngjarje e shëmtuar, shkelje e rëndë e demokracisë. Ju vazhduat në linjën e mohimit të fjalës së opozitës. Ky parlament nuk mund të bëjë asnjë veprim tjetër, derisa sa të hapet debati me mocion për atë skandal që ndodhi me korruptimin e ish-zyrtarit të FBI nga kryeministri Rama. Duhet debat jo duet i sajuar”, tha ai.

Ndërsa, deputeti tjetër demokrat, Gazment Bardhi, iu drejtua kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla duke i thënë se ka shkelur rregulloren në seancën e shkuar, duke i mohuar të drejtën e fjalës 54 deputetëve të opozitës.

Bardhi tha është dakord që të bëhet mocion me debat, me kohë të palimituar, për çështjen e ish-zyrtarit të FBI, Charles McGoigal, dhe përmendjen e emrit të kryeministrit Edi Rama në aktakuzë.

“Në procesverbalin mungon fjala e 54 deputetëve të opozitës. Ju në kundërshtim me rregulloren, vetëm nga frika që kryeministri të përballej me opozitën, i hoqët seancën e shkuar të drejtën e fjalës 54 deputetëve të opozitës. Sipas rregullores në rast se në sallë shkaktohet kaos, drejtuesi pezullon seancën. Nëse kaosi vijon, ndërpritet seanca dhe zhvendoset rendi i ditës. Akti i vetëm që mund të bëni sot, është anulimi i atij procesi të turpshëm votimi, ku u miratuan ligje pa i njohur dhe u dhënë të drejtën kushtetuese deputetëve të opozitës”, tha Bardhi.

Kujtojmë se një grup deputetësh të PD-së kanë dorëzuar në Kuvend dje një kërkesë për mocion debati për çështjen ‘McGonigal’ pas arrestimit të ish-zyrtarit të FBI-së, mik i kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, grupi i Alibeajt ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Rama për këtë çështje.

agjenti i fbi tritan shehu edi rama kuvend skandal charles mcgonigal mcgonigal fbi lindita nikolla

EMISIONET