“Votë kundër emigrimit”/ Mediu në Kukës kërkon mbështetjen për Admir Sinamatin: Bashkë fitojmë!
Kryetari i Partisë Rebuplikane ka kërkuar mbështetjen për kandidatin e bashkë fitojmë për bashkinë e kukësit. Ai theksoi se 14 maji duhet të jetë votë për familjen dhe për të ndalur emigracionin
Në takimin me mbështetësit në Kukës kreu i PR Fatmir Mediu kërkoi kthimin e vëmendjes te familja. Duke e konsideruar sjelljen e mazhorancës si shkak për emigrimin masiv në zonë, ai theksoi se 14 maji duhet ta kthejë pushtetin te zgjedhësit.
“Këto zgjedhje nuk janë thjesht për të bërë Admirin kryetar bashkie. Por këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme për fatin e Shqipërisë. Dhe ky është momenti dhe ora e shqiptarëve të mirë, të cilët duhet të bashkohen kundër së keqes”, deklaroi Fatmir Mediu.
Duke ftuar për të votuar kandidatët republikan për këshillin bashkiak, Mediu shtoi se mbështet kandidatin e koalicionit bashkë fitojmë për kryetar të Kukësit.
“Për çdo njeri në qytetin e Kukësit dhe ata që janë në emigracion të vijnë dhe të votojnë për Admir Sinamatin dhe të fillojmë të ndryshojmë Shqipërinë në drejtimin që duam”, u shpreh kreu i PR-së, Fatmir Mediu.
Nga ana e tij Kandidati Admir Sinamati kërkoi votën duke shprehur angazhimin e mbështetjes së të rinjve për të ndalur largimin nga vendi.
“Më 14 maj ne duhet të votojmë kundër shkaktarëve të emigracionit masiv, kundër vrasësve të shpresës së Kukësit dhe të Shqipërisë dhe të gjithë së bashku të shkojmë në kutitë e votimit të votojmë”, theksoi Admir Sinamati.