VIDEO/ Maliqi kallëzim në SPAK: Nipi i Sadri Abazit, tender 1 mln euro për një shkollë me klasa bosh

Ish-deputeti Lefter Maliqi ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) një tjetër kallëzim penal, i 12-ti me radhë, duke denoncuar një sërë aferash korruptive në Bashkinë e Kuçovës.

Në qendër të kallëzimit të fundit është një tender me vlerë 1 milion euro për rikonstruksionin e një shkolle në fshatin Havaleas, për të cilën Maliqi pretendon se ka klasa pothuajse bosh.

Sipas denoncimit të bërë publik para mediave, tenderi për shkollën ku, sipas tij, nuk mëson as një e dhjeta e nxënësve, është fituar nga nipi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Sadri Abazi. Maliqi akuzon për manipulim të procedurave të prokurimit, skualifikim fiktiv të operatorëve, krijim të një gare formale dhe devijim të fondeve publike, duke theksuar se bëhet fjalë për “lidhje të qarta politike”.

Ky kallëzim i shtohet një liste të gjatë denoncimesh të bëra më herët nga Maliqi, i cili shprehet se prej dy vjetësh e gjysmë përballet me “kalvarin e padrejtë të institucioneve të drejtësisë”. Ai kritikoi ashpër vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës për të shpallur moskompetencë në lidhje me rastin e kryebashkiakut aktual të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i cili, sipas Maliqit, duhej të ishte shkarkuar nga detyra në bazë të ligjit të dekriminalizimit pas një dënimi në Greqi dhe një tjetri me gjykim të shkurtuar nga GJKKO në Shqipëri.

Në deklaratën e tij, Maliqi përmendi edhe afera të tjera të dyshuara, përfshirë një projekt 4 milionë euro pa leje mjedisore në zonë të mbrojtur në Sinec, të realizuar nga kompania “Salillari”, si dhe tenderin e pastrimit të qytetit me vlerë 1.7 miliardë lekë, i fituar, sipas tij, në mënyrë abuzive. Ai akuzoi gjithashtu për krime elektorale në bashkëpunim me zyrtarë të bashkisë, pastrim parash përmes transaksioneve me apartamente dhe lëshimit të vizave për punonjës të bashkisë, si dhe abuzime me tenderin e qenve endacakë.

Ish-deputeti drejtoi akuza të forta ndaj SPAK-ut dhe krerëve të tij, duke i cilësuar si të pafuqishëm për t’u marrë me figura si “Hajdari dhe Salillari”. Ai i bëri thirrje drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, që t'i kthejë përgjigje zyrtare për 12 kallëzimet e depozituara. Maliqi u zotua se do ta vazhdojë betejën e tij për drejtësi dhe se do t’ua kthejë qytetarëve bashkinë, e cila, sipas tij, “u grabit me 300 vota”.

EMISIONET