Vasili: Rama vijon të gënjejë. Qytetarët t’i bashkohen protestës së 11 shkurtit
Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili teksa iu bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së 11 shkurtit, u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk është një lider ndërkombëtar.
"Edi Rama përfundimisht nuk është më kryeministër i Shqipërisë, pasi ai ka ndërprerë çdo komunikim më Parlamentin e Shqipërisë, ka refuzuar të përgjigjet dhe të japë llogari duke e bërë këtë veprim me ndërgjegje, hapur dhe publikisht.
Parlamenti i Shqipërisë është institucioni që votëbeson dhe i vetmi që i jep të drejtën kryeministrit që ta marrë dhe ta ushtrojë detyrën si kryeministër. Detyrimi i dhënies llogari para Parlamentit nuk është dëshirë apo qejf por një detyrim i pakëpërcyeshëm kushtetues.
Kushdo kryeministër që e refuzon me ndërgjegje dhe mënyrë të qëllimshme humbet të drejtën për të vazhduar ushtrimin e detyrës.
Edi Rama e ka quajtur Parlamentin, Park Zoologjik dhe ka deklaruar që ka refuzuar dhe do të refuzojë në mënyrë të vazhdueshme Kuvendin dhe debatin me opozitën.
Protesta e 11 shkurtit do të jetë një uragan i jashtëzakonshëm për të çrrënjosur e shkulur mafian nga zyra e kryeministrit, mafia që përfaqësohet personalisht nga Edi Rama. Ndaj çdo shqiptar do të jetë pjesë e asaj proteste pasi nuk ka shqiptar të asnjë lloj bindjeje politike që të pranojë një kryeministër mafioz dhe një zyrë kryeministri të shndërruar në një çerdhe të mafias. Ndaj protesta e 11 shkurtit është shprehja madhështore e vendimit mbarëpopullor për ndryshimin me çdo çmim të kësaj situate të tmerrshme ku e ka çuar vendin Edi Rama", u shpreh ndër të tjera nënkryetari i PL-së, Petrit Vasili.