6 mijë lekë të reja për një skaner/ Ja çfarë dëshmuan në prokurori dy të arrestuarit në QSUT
“Ora News” siguron dosjen e mjekut dhe teknikut të imazherisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të cilët u arrestuan një ditë më parë me akuzën e korrupsionit.
Nazmi Metaliu dhe Astrit Mansaku dyshohet se kryenin skanera pa radhë kundrejt shpërblimit prej 6 mijë lekësh të reja në Qendrën Spitalore Universitare.
Po ashtu mësohet se ngjarja po hetohej prej tre javësh nga prokurori nga Bledar Valikaj, ndërsa personi që ka kallëzuar çështjen, e cila solli dhe arrestimin e dy personave përpara shumë vitesh ka qenë emigrant në shtetin grek dhe ka bërë një aksident me makinë ku ai ishte si pasagjer.
DËSHMITË E TË ARRESTUARVE
Dosja e prokurorisë për Astrit Mansakun
Në deklarimin ndaj të cilit që ju mor shtetasit Astrit Mansaku në praninë e avokatit mbrojtjes Selim Nela, pyetjes se nga hetimet e kryera për llogari të procedimit penal ka rezultuar se:
“Ju në bashkëpunim me shtetasin Nazmi Metaliu i keni kërkuar dhe marrë në date 27.01.2023 shtetasit Ardian Miceli përfitim të paligjshëm në vlerën 6000 lekë të reja për t’i mundësuar kryerjen e skanerit pa radhë dhe pa pasur dokumentacion me vete.
Gjithashtu, ka rezultuar se dhe sot në datë 02.02.2023 se ju në bashkëpunim me shtetasin Nazmi Metaliu i keni kërkuar dhe marrë shtetasit Jurgest Hasula përfitim të paligjshëm në vlerën 6000 lekë të reja për t’i mundësuar kryerjen e skanerit pa radhë dhe pa pasur dokumentacion me vete.
Nga kontrolli personal që ju është kryer juve në prezencë të kolegëve tuaj, Arber Hyseni dhe Ekaterini Kolaj, janë gjetur dhe sukuestruar në cilësinë e provës materiale kartmonedha të prerjes 1000 (njëmijë) lekëshe copë 5(pesë). A e njihni shtetasin Nazmi Mancaku? Çfarë raportesh keni me këtë shtetas dhe çfarë shpjegimesh keni për të na dhënë në lidhje me kryerjen e skanerit të shtetasve të sipërpërmendur?
Ai i është përgjigjur se është me detyrë teknik imazherie pranë Shërbimit të Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë prej 18 vjetësh. Shtetasin Nazmi Metaliu e njeh si koleg pune dhe për rastin e bërjes së skanerave të shtetasve Ardian Miceli dhe Jurgest Hasula nuk i ka kërkuar asnjë shumë parash nga këto shtetas, por edhe nga vetë kolegu tij Nazmi Metaliu.
Ka qenë vetë kolegu tij, Nazmi Metaliu, që i ka dhënë vetë para me pretekstin se ata kishin lënë diçka në formë respekti për mua ngaqë po i ndihmonim. Nazmiu ja ka dhënë lekët kundra dëshirës duke ja futur në xhepin e bluzës, dhe duke ja prezantuar si familjare të tij, të cilët ishin në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe duhej patjetër të kryenin skaner. Ai ka dashur t’ja kthejë direkt lekët Nazmiut, por ngaqë u fut një pacient tjetër për të bërë skaner e ka ndërprerë bisedën për t’ja rikthyer lekët Nazmiut në një moment tjetër.
Ai nuk ka dijeni në lidhje me bisedat që Nazmiu ka bërë me këto persona, pasi m’i ka prezantuar si njerëz të aferm të tij. Nuk mban përgjegjësi për veprimet që ka kryer Nazmiu. Me këto persona është takuar vetëm ditën e kryerjes së skanerit ku dhe i ka sqaruar në lidhje me situatën e tyre shëndetësore.
“E ritheksoj që me këto shtetas as i kam kërkuar dhe as i kam detyruar që të kryenin pagesa për bërjen e skanerit. Shtetasit e sipërpërmendur i kam ndihmuar nga ana humane dhe si të afërm të kolegut tim pa patur dijeni në lidhje me bisedat që Nazmiu kishte zhvilluar me ato”.
Gjatë gjithë punës së tij nuk ka marrë asnjë shumë parash nga ndonjë qytetar që të paguajë në kundërshtim me ligjin për të bërë skaner. Për bërjen e këtyre dy skanerave nuk është bërë ndonjë praktikë dokumentare, sepse Nazmiu ja kërkon në mënyrë urgjente dhe si kusherinj të tij.
Dosja e prokurorisë për Nazmi Metaliun
Në deklarimin ndaj të cilit që ju mor shtetasit Nazmi Metaliu në praninë e avokatit mbrojtës, Petrit Ismaili, pyetjes se nga hetimet e kryera për llogari të procedimit penal ka rezultuar se ju në bashkëpunim me shtetasin Astrit Mansaku i keni kërkuar dhe marrë në datë 27.01.2023 shtetasit Ardian Miceli përfitim të paligjshëm në vlerën 6000 lekë të reja për t’i mundësuar kryerjen e skanerit pa radhë dhe pa pasur dokumentacion me vete.
Gjithashtu, ka rezultuar se dhe sot ne datë 02.02.2023 se ju në bashkëpunim me shtetasin Astrit Mansaku i keni kërkuar dhe marrë shtetasit Jurgest Hasula përfitim të paligjshem në vlerën 6000 lekë të reja për t’i mundësuar kryerjen e skanerit pa radhë dhe pa pasur dokumentacion me vete. Nga kontrolli personal që ju është kryer juve është gjetur dhe sukuestruar në cilësinë e provës materiale kartmonedha të prerjes 1000 (njëmijë) lekëshe copë 1(një).
A e njihni shtetasin Astrit Mansaku? Çfarë raportesh keni me këtë shtetas? Dhe çfarë shpjegimesh keni për të na dhënë në lidhje me kryerjen e skanerit të shtetasve të sipërpërmendur?
Ai i është përgjigjur se është me detyrë ndihmësmjek në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë prej 30 vjetësh.
“Shtetasin Astrit Mansaku e njoh si koleg pune dhe për rastin e bërjes së skanerave të shtetasve Ardian Miceli dhe Jurgest Hasula ai ka qenë personi që ka marrë para në formë bakshishi për bërjen e skanerit në vlerën 6000 lekë të reja dhe më pas i ka shoqëruar këto dy shtetas tek dhoma skanerit ku ka takuar Astrit Mansakun dhe atij pas përfundimit të skanerit duke qenë ndërgjegjshëm se punën e kishte bërë ai, sepse ai qëndron në rreze i kam dhënë bakshish. Theksoj se Astrit Mansaku në asnjë moment nuk i ka kërkuar para për të bërë skanerat e personave të sipërshënuar dhe as nuk e dinte që për keto raste ishin marrë lekë. Gjithashtu, edhe ai nuk ka kërkuar lekë për bërjen e skanerit. Shpjegime të tjera do jap në një moment tjetër të hetimit”.