“U dhanë deri në 600 euro për një votë”, Berisha: Rama ka vendosur diktaturën e bandave!

Në konferencën e përjavshme për shtyp, Sali Berisha u ndal sërish tek krimi zgjedhor në zgjedhjet vendore të së dielës sipas tij që u shënua nga eksponentë të mazhorancës qeverisëse në të gjithë vendin.

E ndërsa nuk ka asnjë reflektim për shkaqet që ccuna në dështimin spektakolar të 14 majit të opozitës, Berisha tha se votat u blenë deri në 600 euro.

PJESE NGA DEKLARATA

Farsa elektorale maj 2023, njërin prej aspekteve më të shëmtuara dhe kriminale kishte shkrirjen në një të bandave, të vrasësve dhe trafikantëve me Policinë e Shtetit në veprimin e tyre terrorizues, kriminal ndaj zgjedhësve dhe qytetarëve. Bandat u bënë një apo ishin tërësisht nën ombrellën e policisë. Ndaj tyre, narkopolicia jo vetëm që nuk mori masa, por u mor me inskenime të turpshme për opozitarët, në një kohë kur kamionët me euro disponoheshin dhe qarkullonin në krahun e narkoqeverisë kundër zgjedhësve.

Në Shkodër, eksponentë tanë të PD u telefonuan nga banditët, u kërcënuan në mënyrën më të egër prej tyre, u ofruan gjer në 20 milionë lekë për komisioner, nga 10 mijë euro për komisioner. Në Lezhë, nën mbrojtjen e Policisë së Lezhës, bandat shpërndanë para dhe terror gjatë gjithë natës në zonat e ndryshme të rrethit të Lezhës.

Diku, diku janë të filmuara dhe aty duken makinat e bandave dhe makina e policisë që u rri në krahun tjetër për të garantuar veprimtarinë e tyre kriminale. Bandat, në Peshkopi, ishin nën mbrojtjen e Ballukes, e cila shoqërohej me banditë. Dhe nga hoteli i Ymer Lalës drejtonte operacionet e tyre banditeske elektorale. Bandat e kthyera nga Dubai, në Durrës dhe rrethe të tjera, në Elbasan dhe vende të tjera, diktuan nën mbrojtjen e policisë, vullnetin e qytetarëve.

Eksponentë të PD-së u bënë pre e atentateve të organizuara për eliminimin e tyre, në Vaun e Dejës, në Lezhë, etj. Bandat pushtuan qendrat e votimit, siç është rasti i Velipojës. Në Mamurras, ato shpërndanë gjer në 600 euro votën. Të gjitha këto haptas, sepse kishin mbrojtjen e narkopolicisë. Në Nikël, vrasës e trafikantë bllokuan qendrat e votimit, vunë në presion të madh komisionerët, kurse narkopolicia arrestonte një person me një makinë dhe e mashtronte opinionin publik shqiptar se ai po blinte vota, në një kohë kur ai nuk kishte as edhe një qindarkë me vete.

Pavarësisht se nuk kishte në makinë asnjë qindarkë, komunikata e policisë thoshte se u kap duke blerë vota. Si e si të krijojnë zhurmën për blerjen e votave nga opozita dhe jo nga qeveria. Edhe numri i policisë, atë ditë janë bërë qindra thirrje nga opozitarët. Policia ose nuk përgjigjej, ose u thoshte: paraqiteni me shkrim ankesën, në një kohë kur qendra e votimit ishte e pushtuar.

Ky është aspekti policesk, por u them ju se një aspekt tjetër më i shëmtuar dhe më policesk, ka qenë roli i administratës publike. Si kurrë në historinë e këtij vendi, administrata publike u shndërrua në një polici politike e procesit elektoral. Së pari, në kundërshtim flagrant me ligjin janë vendosur komisionerë me qindra e qindra punonjës bashkie që do numëronin vota për ish-kryetarin apo kryetarin e tyre. Me ligj e ndaluar, me ligje palejueshme. Aspekti tjetër, qindra e qindra punonjës të administratës janë vendosur komisionerë dhe numërues në qendrat e votimit.

Aspekti më i shëmtuar është qëndrimi i zyrtarëve si gardianë në qendrat e votimit. Presioni që kanë bërë një muaj rresht mbi punonjësit e tjerë. Kërcënimet që ata kanë shpërndarë nëpërmjet punonjësve, dërgoheshin mesazhe në tatime, dërgoheshin mesazhe në dogana, që i thuhej iksit, biznesmen jo i vogël, se po shkove në votime ti dhe punëtorët e tu, do përballesh me këto pasoja. Kujdestares së kopshtit se po nuk solle 10 karta identiteti, të nesërmen humbet punën. Kanë filluar që sot shkarkimet nga puna ndaj tyre që nuk u përgjigjën.

Administrata, eksponentë të administratës, u sollën në mënyrën më antiligjore në këtë proces. Drejtorë, si terrorist është sjellë kushëriri i Ballukes, Klosi në Peshkopi, ku për të mposhtur elektoratin, u vërsul me tërbim ndaj bizneseve 3 ditë para zgjedhjeve në inspektim të përgjithshëm. Të njëjtën gjë kanë bërë në Konispol, Sarandë, Libohovë, Këlcyrë dhe një seri bashkish të tjera. Kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi, administrata shtetërore, nuk ka mbajtur një qëndrim të tillë kriminal ndaj procesit zgjedhor.

sali berisha zgjedhjet e 14 majit berisha zgjedhjet vendore

EMISIONET