Fitorja e PS-së, Rama e nis nga Shkodra sot turin e falenderimeve

Bashkë me kabinetin qeveritar, kryeministri Rama ka zbarkuar këtë të premte në Shkodër, duke nisur edh turin falenderues për zgjedhjet 14 majit. Ai deklaroi se kjo bashki do të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë, për t’i bindur të gjithë shkodranët se kanë bërë zgjedhjen e duhur

Kryeministri Edi Rama ka nisur turin falenderues në Bashkitë ku fitues kanë dalë kandidatët e tij.

Siç edhe e pati paralajmëruar Shkodra ka qenë ndalesa e tij e parë, kjo edhe për vetë faktin se në 33 vite pluralizëm, kjo bashki do të drejtohet për herë të parë nga socialistët, e pikërisht nga Benet Beci.

“Falenderim për ata që më 14 maj dolën dhe votuan Benetin. Dhe votuan PS. Për herë të parë jemi forcë e parë politike. Dua të falënderoj dhe ata që nuk dolën të votojnë duke e parë të pamundur që të votojnë për ne dhe Benetin por duke e parë dhe si të pamundur për ata që kanë votuar gjithnjë po s’kanë bërë asgjë. Dua t’iu them të gjithëve atyre që nuk janë këtu që na kanë dhënë besim. Unë për vete këtë rezultat në Shkodër e konsideroj si sfidën më të madhe që më është bërë mua dhe Shkodrës."

Mbështetja e madhe nga ana e qeverisë që Benet Beci do të ketë në 4 vitet e ardhshme, u tregua edhe me praninë e ministrave në ambientet e teatrit Migjeni.

“Kam ftuar sot këtu që të vinin disa nga ministrat pasi ne nuk mund ta refuzojmë këtë sfidë, s’mund ta konsiderojmë një fitore si të mirëqenë. Kjo është një fitore jashtëzakonisht e veçantë dhe meriton një vëmendje jashtëzakonshme të veçantë. Këtu është çështje e Shqipërisë dhe e ekonomisë së saj. Shkodra është një fuqi e madhe e fjetur në aspekt të potencialit të madh që ka për ekonominë dhe të mirën e Shqipërisë. Ne duhet ta zgjojmë këtë potencial në funksion të së mirës së Shqipërisë. Është një zonë e bekuar e Shqipërisë. 4 vite janë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim që i prek të gjithë.”

Falenderues për mbështetjen e dhënë ishte edhe Benet Beci, i cili premtoi para të pranishmëve e Kryeministri dhe Qeveria do ta kenë Shkodrën të parën në listën e projekteve dhe investimeve

“Dua të falënderoj të gjithë kabinetin qeveritar. S’kam për ta harruar kurrë. Kryeministri dhe Qeveria do ta kenë të parën në top listën e projekteve dhe investimeve.”

Më herët gjatë vizitës së tij në Shkodër, kryeministri Rama u ndal te muzeu i krimeve të komunizmit, për të cilin tha se do ta transformojnë për ta kthyer në një destinacion kyç për turistët.

EMISIONET