Skenari i protestës përballë bllokimit, ja çfarë do të ndodhë nga ora 12:00 kur nis tubimi i opozitës
Partia Demokratike këmbëngul për të zhvilluar protestën para Kryeministrisë pavarësisht deklarimeve të policisë për të mos lejuar thyerjen e kordonit të policisë që nis prej urës së Lanës në afërsi të hotel të Dajtit.
Burimet kanë bërë të ditur se një pjesë e tubuesve do të mblidhen në sheshin "Skënderbej" ndërsa kryetari i selisë blu Sali Berisha, i shoqëruar me një grup të mbështetësve do të niset pak para orës 12:00 prej Partisë Demokratike për t'ju bashkuar mbështetësve në bulevardin drejt Kryeministrisë.
Megjithatë ende nuk është e qartë nëse do të ketë një podium për folësit, nëse ai do të vendoset pranë urës apo do të bëhet e mundur që sërisht të protestohet poshtë zyrave të kryeministrisë.
Megjithatë mësohet se ndryshe nga protesta e parë, do të ketë më pak politikanë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile që do të flasin para protestuesve.
Do të jenë rreth 10 folës që do të shprehin shqetësimet dhe denoncimet e tyre pikërisht në kohën kur delegacionet e Ballkanit dhe Bashkimit Europian do të jenë në nisjen e sesionit të dytë të takimit.
Po ashtu dhe kryetari i demokratëve Sali Berisha dhe ai i Partisë së Lirisë Ilir Meta do të kenë qëndrimet e tyre për të denoncuar sipas tyre korrupsionin e qeverisë Rama.
Sali Berisha: Çdo shqiptar që e do këtë vend, që e do lirinë, dinjitetin njerëzor, të ardhmen e tij dhe fëmijëve të tij në liri dhe që beson se kushti i të gjitha kushteve është vota e lirë, bashkohet nesër në shesh me ne për ti dëshmuar lidershipit europian se ne jemi në një betejë me armikun e egër të votës së shqiptarëve Edi Rama.
Nga ana tjetër të rinjtë demokratë dhe organizatorët do të paraqiten në protestën e parashikuar për të nisur në orën 12:00 me banderola të ndryshme nga më parë, por pa dhënë detaje paraprake për to dhe simbolika të tjera kundër mazhorancës dhe qeverisë së Ramës.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

