“S’ka kuptim anëtarësimi i Shqipërisë pa Serbinë” Berisha: Rama po mbron interesat e Kremlinit

Nga selia blu, Sali Berisha u shpreh se Edi Rama tha në një emision italian se anëtarësimi i Shqipërisë në BE pa Serbinë është i pakuptimtë.

Sipas Berishës, kjo është një deklaratë antishqiptare e vasalit të Beogradit, që kërkon të lidhë Shqipërinë pas qerres së Beogradit.

Berisha: Çështja e fundit dhe jashtëzakonisht e rëndësishme ka të bëjë me deklaratat e Edi Ramës në një emision italian se anëtarësimi i Shqipërisë në BE pa Serbinë është i pakuptimtë. Kjo është një deklaratë antishqiptare e vasalit të Beogradit, që kërkon të lidhë Shqipërinë pas qerres së Beogradit. Kjo deklaratë vjen në kundërshtim flagrant me interesat shqiptare të integrimit. Dy autokratët e Ballkanit, padroni dhe vasali, nuk kanë interesa evropiane.

Kanë interesa të pasurimit të tyre, kurse Aleksandër Vuçiç ka interesa ruse dhe përdor si avokat të shpifur kryeministrin e Shqipërisë, i cili pranon në vasalitet të plotë, t’i thotë Europës se integrimi i Shqipërisë në BE pa padronin e tij nuk ka kuptim. Sikur shqiptarët punojnë për serbët dhe jo për integrimin e tyre në Europë.

Integrimi në BE nuk është proces kolektiv, është proces individual për vendet. Nuk ka akt më antishqiptar, si mundet kryeministri i një vendi të thotë se pa ata, nuk ka kuptim të vijmë ne. De facto Rama mbron interesat e Kremlinit, mbron Serbinë si prapavijë e agresorëve barbarë rusë, duke insistuar që të mos i kërkohet Serbisë zbatimi i sanksioneve ndaj Rusisë, por ta pranojmë Serbinë si prapavijë. Mirë që nuk thotë që të pranojmë edhe Bjellorusinë. Nuk ka avokati më të shëmtuar të interesave të Kremlinit se kjo që bën Edi Rama. PD e dënon me forcën më të madhe këtë deklaratë dhe fton shqiptarët të qëndrojnë sepse ky është shkelmim i interesave të tyre jetike.

EMISIONET