ILIR META, DITËLINDJE NË QELI! Presidenti i PL nuk merr liri “si dhuratë” as me 50 mijë euro garanci
Ilir Meta feston 57-vjetorin në paraburgim, pasi GJKKO i rrëzoi kërkesën për lirim edhe me 50 mijë euro garanci. Ish presidenti u arrestua si pjesë e një hetimi për korrupsion dhe pastrim parash
Ilir Meta do ta festojë në qelitë e paraburgimit edhe përvjetorin e 57-të të lindjes, pasi Gjykata e Posaçme i rrëzoi në ditën e lindjes kërkesën për liri.
Ndryshe nga tentativat në të shkuarën, presidenti i Partisë së Lirisë kishte ofruar këtë herë 50 mijë euro garanci pasurore për lirim me kusht, por togat e zeza vendosën që ai të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, megjithatë shprehet i bindur se ish-presidenti do të dalë nga burgu.
Ish-presidenti Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, pasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion si pjesë e dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, nëna e saj, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, ndërkohë u hetuan dhe po gjykohen në gjendje të lirë. SPAK ka ngritur ndaj tyre akuza për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.

