Samiti i Berlinit në Tiranë, Lajla Përnaska: Zhvillim pozitiv. BE-ja, më e qartë ndaj atyre që tentojnë destabilizim në Ballkan
Ish-deputetja dhe diplomatja Lajla Përnaska në studion e lajmeve në “Ora News” vlerësoi se mbajtja e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, është një zhvillim pozitiv për vendin tonë.
“Është një ogur i mirë për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. Momenti i samitit të djeshëm padyshim që është një hap i mirë për të gjithë Ballkanin Perëndimor, sepse duket se Bashkimi Evropian është gjithnjë e më i gatshëm të ndërmarrë hapa konkretë, siç ishin dhe ato që u përfshinë në agjendën e djeshme, nga të cilat do të veçaoja dy momente:
E para, që BE-ja mori angazhimin ekonomik për të gjithë Ballkanin Perëndimor në mënyrë që në këtë hark kohor deri në 2030-ën. Nga ky stad ekonomik ku jemi mbështetja e BE-së përmes fondeve dhe projekteve konkrete ku parashikohen të hidhen këto fonde dhe investime; dhe e dyta, elementë të tregut tonë të brendshëm të fillojnë të kenë një akses në tregun e përbashkët evropian.
Dhe kjo është element shumë i rëndësishëm, pasi integrimi në një aspekt të gjerë është një element ekonomik. Dhe ky është një hap jo vetëm konkret por edhe i domosdoshëm që ky hap të jetë real dhe të na hapë atë shtegun tonë të integrimit dhe në mënyrë sa më të dobishme për ecurinë tonë dhe zhvillimit ekonomik.
Unë gjykoj që Samiti ishte në lartësinë e duhur, sa i përket tërësisë së situatave të tensionuara dhe të konflikteve në të cilat në ndodhemi tashmë, që nga Ukraina, apo Izraeli dhe Hamasi, ndaj e gjithë vëmendja dhe përkushtimi është në këtë drejtim.
Ndaj patjetër që çështjet e sigurisë janë sot më emergjente se kurrë dhe janë prioritet i padiskutueshëm. Dhe një element pse u mbajt këtu është se Shqipëria është një vend i sigurtë dhe në Ballkan nuk është e përfshirë në asnjëlloj konflikti.
Në këtë kontekst mesazhet ishin shumë të qarta, dhe mendoj se BE-ja do të jetë shumë e qartë në shuarjen e çdo konflikti siç është akti terrorist në veri të Kosovës dhe situata e tensionuar poas tij mes Kosovës dhe Serbisë.
Dhe këto janë konflikte që do zgjidhen në rrugë: Ose ndërmjet Konfliktit, ose përmes bashkëpunimit dhe paqes. Kështu që i gjithë angazhimi i të gjithëve ne të jetë përmes paqes dhe bashkëpunimeve.
Ndaj BE-ja do të jetë edhe më shumë e përqëndruar me këtë situatën në vazhdim, dhe do të ketë me mesazhe më të prera ndaj tentuesve, apo aktorëve apo edhe atyre që kërkojnë të tentojnë destabilizim”, u shpreh ndër të tjera në analizën e saj diplomatja Lajla Përnaska.