Roland Bejko e nis fushatën me akuza ndaj Berishës: Shkaku i përçarjes së PD-së

Roland Bejko, kandidat i Partisë Demokratike për Tiranën, e nisi fushatën për 14 majin nga njësia 10 në kryeqytet me akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

"Koha është sot për një ndarje tërësore nga një trupë pushtet-ushtruese, e njëjta e perceptuar nga publiku dhe e përcaktuar dhe nga partnerët ndërkombëtarë si abuzive me pushtetin dhe përfaqësimin e besuar  nga demokratët në vite. Momente të vështira politike për Partinë Demokratike të Shqipërisë, një ndarje e imponuar për shkak të një agjende thellësisht vetjake të zotit Berisha, i njëjti që mund të identifikohet si shkaku thelbësor i përçarjes së Partisë Demokratike".

Theksoi se Partia Demokratike duhet të ringrihet përmes një platforme të plotë qytetare dhe politike, gjithashtu.

"Koha për një ringritje të Partisë Demokratike, e tilla mund dhe duhet të vijë përmes një bashkërendimi dhe angazhimi të personaliteteve publike, qytetarëve të angazhuar, profesionistëve, individëve me mendim dhe drejtim të qartë politik, prurjeve të reja nga secili fluks shoqëror".

Qytetarëve të Tiranës u kërkoi më 14 maj votë ndëshkuese kundër politikës së keqe dhe zgjidhjeve të munguara.

"Fajtore për gjithçka që nuk funksionon në qytetin e Tiranës është politika".

Bejko shoqërohej në takim nga deputetë të Partisë Demokratike dhe kandidatë për këshillin bashkiak të Tiranës.

zgjedhjet e 14 majit fushata zgjedhore

EMISIONET