Reforma e inspektimeve/ Sula: Forcimi i kontrolleve në terren dhe mbrojtja e konsumatorëve, thelbësore për integrimin

Kryeinspektori Dashnor Sula ka organizuar një tryezë pune me objektiv të qartë, reflektimin e reformës së sistemit të inspektimeve në praktikën e përditshme në terren.
Në fjalën e tij, ai deklaroi se ky takim ka për synim përmirësimin e standardeve të kontrollit dhe mbrojtjen e konsumatorëve, të cilat janë thelbësore për përmbushjen e kushteve të Bashkimit Evropian.
Sula theksoi se reforma e sistemit të inspektimit është e rëndësishme për rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore dhe për forcimin e kontrollit mbi standardet në vend.
Sipas tij, kur sistemi i inspektimit funksionon mirë, rritet besimi tek institucionet, sigurohet mbrojtja e qytetarëve dhe garantohen të drejtat e tyre. Në të kundërt, shtoi ai, mosfunksionimi i sistemit krijon hapësira për informalitet, abuzim dhe rrezik për interesin publik, duke vendosur përgjegjësi mbi trupat inspektuese.
“Takimet me objektiv të qartë: reflektimin e reformës së sistemit të inspektimeve në praktikën e përditshme të punës në terren.
Përmirësimi i standardeve dhe mbrojtja e konsumatorëve thelbësor për përmbushjen e kushteve të BE.
Reforma e sistemit të inspektimit, e rëndësishme për burime njerëzore cilësore dhe për të forcuar kontrollin e standardeve në vend.
Kur sistemi i inspektimit funksionon mirë, rritet besimi të institucionet, garantohet siguria dhe mbrohen të drejtat e qytetarëve.
Kur nuk funksionon sistemi sipas standateve, dëmtohet besimi, krijohet hapësira për informalitet , abuzim dhe rrezik për interesin publik. Kjo vendos përgjegjësi mbi ne si trupë inspektuese”, deklaroi Sula.
Kryeinspektori përcaktoi qartë se fokusi kryesor i reformës është rritja e cilësisë së kontrolleve në terren, me vëmendje të veçantë te siguria, kushtet dhe gjurmueshmëria.
“Ligji është kryesisht i përafruar me BE, problem është zbatimi real dhe i njëtrajtshëm i ligjit. Ligji i ri për inspektimin vendos një standard të ri për funksionimin e sistemit të kontrollit publik në vend, krijon kornizë të qartë përgjithësisht metodologjinë dhe transparencën në aktivitetin inspektues.
Ligji 99/2024 baza e gjithë inspektoratet dhe aktet nënligjore dhe ligjet sektoriale në secilin inspektorat”, shtoi Sula.
Ky i fundit nënvizoi se reforma synon transformimin nga një sistem i fragmentuar drejt një sistemi me standarde të përbashkëta veprimi.
“Reforma synon që nga një sistem i fragmentuar drejt një sistemi me standard të përbashkët veprimi. Nga një sistem i orientuar nga frekuenca e kontrollit drejt një sistemi që orienton inspektim aty ku rrisku është më i lartë. Nga një sistem i orientuar nga praktika individuale, drejt një sistemi të bazuar në metodologji dhe të dhëna.
Në këtë proces roli i inspektoratit të përgjithshëm është i qartë: Jo zëvendësim i inspektorateve sektoriale dhe as ndërhyrje në vendimmarrjen e tyre teknike, por garantim i funksionimit të sistemit mbi standarde të përbashkëta, monitorim i performancës dhe analizë e vazhdueshme e praktikës”, përfundoi ai.

