Huaja 300 milionë dollarë Shqipëri-SHBA/ Balla: Do të përdoret për Forcat e Armatosura
Shqipëria ka ratifikuar një marrëveshje financiare prej 300 milionë dollarësh, e cila do të përdoret për modernizimin dhe nevojat konkrete të Forcave të Armatosura.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvend se ky financim do të disbursohet gradualisht dhe ka një afat shlyerjeje deri në 12 vjet. Sipas tij, kjo marrëveshje konfirmon edhe një herë rolin e Shqipërisë si një aleate e besueshme e SHBA-së, NATO-s dhe si faktor stabiliteti në rajon. Balla iu përgjigj kritikave të opozitës duke theksuar se kjo marrëveshje garanton fuqizimin e mëtejshëm të mbrojtjes kombëtare.
“Shqipëria shihet sot si një aleate e besueshme dhe një faktor stabiliteti në rajon. Sot vjen një marrëveshje për ratifikim prej një vlerë për 300 milionë dollar, kjo shumë do të përdoret për Forcat e Armatosura. Është edhe garancia që jep kjo marrëveshje. Kredia ka një afat deri në 12 vjet për t’u shlyer.
Financimi do të disbursohet gradualisht për nevoja konkrete. Zhurmuesit nuk kanë për të kuptuar kurrë rëndësinë e një marrëveshjeje, se Shqipëria është një aleat i besueshëm i SHBA dhe një aleat i denjë i NATO-s. Sorrat dhe korbat le të vazhdojnë të bërtasin shqiponja bashkë me flamingot punojnë për Shqipërinë”, tha Balla.

