Rama në Kavajë plot "batuta": Besa me stadium të ri, me dy gishta luani në Kategori të Tretë
Kryeministri Edi Rama në takimin elektoral ne Kavajë, u shpreh është gati për të ndërtuar stadiumin e ri të Besës, me kushtin që Kavaja të zgjedhë Redjan Krajlin kryetar bashkie në garën e 14 majit.
Në takimin me përfaqëesit të biznesit të madh ishte i pranishëm edhe presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, teksa nuk munguan batutat mes tyre.
"Nëse doni ta ktheni Kavajën pas, do shembim edhe stadiumin se ky është i kategorisë "DS 5". Nëse na jepni mundësinë ta ndërtojmë, do e bëjmë sa të na e jepni. Do nisim menjëherë projektin. Stadiumin e Kavajës mund ta bëjmë', tha fillimisht Edi Rama.
Më pas kryeministri bëri batuta edhe me presidentin e "Klubit të Futbollit Besa", Nexhat Bizhdili.
"Ngaqë ke mbetur me dy gishta keni ngel në kategori të tretë, s’keni turp. Stadiumet në Durrës dhe Korçë do bëhen në bashkëpunim me biznesin. Nëse ju bëheni një grup këtu të jepni kontribut dhe të shfrytëzioni mjediset aty, dyqane restorante, fitnes, na e lehtëson punën të marrim dhe ne pjesë. Qeveria futet në një pjesë, federata në një pjesë, ju në një pjesë, pra biznesi, dhe bashkia do të na japi një dorë meqë ka fondet më të mëdhaja këtu. Thuaj atyre me dy gishta që nëse ja japin votën atyre që duan ta çojnë Shqipërinë si Kavaja në kategori të tretë, s’ka stadium", tha Edi Rama.
Për kryeministrin kush voton ata të dy kthehet mbrapa, ndërsa theksoi se PD-së nuk ka krijuar asnjë shembull për asnjë bashki apo fshat pasi nuk dinë që të kujdesen.
Kryeministri Rama tha se Kavaja është transformuar tërësisht nga kryebashkiaku Redjan Krali, i cili garon në 14 Maj për një mandat të dytë.
‘M'u kujtua se si ishte hyrja e Kavajës kur morëm detyrën. Dukej realisht në atë kohë si hyrje në një vatër të dëshpërimit, të harresës, rrënimit. ishte e gjithë Kavaja. I kam para syve pamjet e Kavajës dhe e kam parasysh punën, projektet dhe përpjekjet për të nisur ndryshimin e madh. Këtu në Kavajë, ndryshe nga shumicën e bashkive, na ndodh që ky qytet të kthehet në duart e atyre që në 30 vjet që kur ka zgjedhje, s’kanë mundur të krijojnë një shembull të vetëm se dinë të kujdesen për një bashki, apo fshat.
Më kujtohet kur Kavaja u kthye në duar e tyre të vetmet probleme që kishim me Kavajën nuk ishte se si të bënim një kopsht më shumë, apo si të krijojmë diçka të re, por e kishin mendjen te lejet e dhëna në rërë, në kundërshtim me çdo sens të së bukurës. E vetmja gjë që mbaj mend kur e rimorën Kavajën ishte se si ky qytet të vihej në funksion të një grupi që vepronte si një bandë. Dua t’u them atyre që votojnë për ata. Po mirë mo keni një minimum ndjeshmërie në mos për vete, por për fëmijët tuaj. Ata kur e kishin Kavajën, e kanë degjeneruar. Le të më dalë njëri dhe të më tregojë një bashki dhe të thotë; jo e ke gabim. Shihni Shkodrën. Kush e bëri Shkodrën ashtu? Zoti?! Jo! Historia jo. Shkodrën e bëri ashtu, vetëm ata që ecin mbrapsht. Shkoni kthehuni në shtëpi duke ecur mbrapsh!’- tha Rama.
Rama vlerësoi kandidaturën e PS-së Redjan Krali, për të cilin tha se është një djalë punëtor dhe pa llafe.
‘Kur marr ankesa nga njerëzit unë nuk mërzitem me njerëzit por mërzitem me këta! Si t’ja bëjmë ne tani që më të mirë se Redi nuk kemi këtu. Është djalë punëtorë pa llafe shumë dhe pa hajdutëria! Bashkëpunojmë dhe bëjmë projekte të përbashkëta!’- tha Rama.
Sipas kryeministrit Rama tashmë nuk duhet ndaluar puna që është nisur dhe demokratëve iu drejtua duke u thënë se “është mbytur anija”.
“Si ta ndalojmë tashi? Për çfarë? Për paratë ruse ta ndalojmë? Se janë llafe, janë llafe, por u bënë si shumë llafe, tani po dalin dhe kontot bankare që po vijnë si ato shishet që sjell deti kur mbytet anija. Se anija është mbytur atje. Vetëm këtu në Kavajë dhe në ca vende të tjera nuk e kanë marrë vesh akoma. O është mbytur anija! O demokratë, është mbytur anija! Ça do bëni tashi? Robinson Kruzo këtu i vetëm?”, u shpreh Rama.