Rama në Gjermani/ Takim zyrtar me Hendrik Wüst, pikat kyçe bashkëpunimi ekonomik dhe integrimi europian

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryeministrin e landit gjerman Nordrhein-Westfalen, Hendrik Ëüst, gjatë vizitës së tij në Dusseldorf dhe Bochum.
Në qendër të bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Nordrhein-Westfalen, një nga rajonet më të fuqishme ekonomike dhe industriale të Gjermanisë.
Sipas Kryeministrisë, palët diskutuan mbi zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si investimet, teknologjia digjitale dhe arsimi profesional, me synimin për të krijuar mundësi të reja zhvillimi dhe partneriteti.
Gjithashtu, pjesë e axhendës ishte edhe procesi i integrimit europian të Shqipërisë, ku u theksua mbështetja për rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në vizitën zyrtare që kryeministri Rama po zhvillon në Landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (Nordrhein-Westfalen – NRW), në Republikën Federale të Gjermanisë, do të mbajë fjalë në punimet e Ruhr Summit, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në Europë kushtuar inovacionit, sipërmarrjes dhe teknologjisë.
Rama do t’i adresohet audiencës në panelin kryesor me tematikë “IA, Fuqia dhe Progresi: Rishikimi i Lidershipit për një Epokë të Re”.
Në vijim të agjendës, Kryeministri do të jetë pjesë e diskutimit me temë “IA mes Inovacionit, Rregullimit dhe Përgjegjësisë”, së bashku me përfaqësues të njohur të sektorit të teknologjisë, biznesit dhe konsulencës ndërkombëtare.


