Rama mbledh qeverinë për rrogat, Ibrahimi: Efekti në buxhet 38 miliardë Lekë

Mësuesit, infermierët dhe punonjësit e sigurisë janë ata që do të përfitojnë të parët rritjen e pagave. Qeveria ka miratuar skemën e re që do të vihet në zbatim në dy faza.

Ndërsa lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se do të ketë shtesë për bazën, por që rroga shtohet edhe nga vjetërsia.

"Specialistëve më të ulët që punojnë në administratë qëndrore, paga e tyre do të shkojë nga 49 mijë lekë në 81 mijë lekë", u shpreh Rama.

Megjithatë ai shtoi se ky vendim nuk ka lidhje me zgjedhjet për bashkitë. 

"Rritja e pagave nuk është sipas dëshirës dhe as sipas kalendarit elektoral, por sipas mundësive", tha Rama.

Ndikimin që do të ketë në buxhet e shpjegoi Ministrja e Financave.

"Do të kemi një efekt shtesë në buxhet prej 38 miliardë lekësh. Të cilat janë alokur dhe parashikuar të mbulohen brenda të gjitha politikave tona të konsolidimit fiskal dhe brenda ruajtjeve të parametrave tërësore të poltikës fiskale shqiptare", deklaroi Delinda Ibrahimi.

Projektligji i miratuar në Këshillin e Ministrave do të votohet në Parlament e më tej pas firmës së presidentit do të hyjë në fuqi.

edi rama rritja e pagave

EMISIONET