Protestat paqësore/ Begaj reagon për herë të parë: E drejta për t’u shprehur është vlerë kushtetuese, institucionet të veprojnë në përputhje me ligjin

Gjatë fjalës së tij në ceremoni festive për 100-vjetorin e Prefekturës së Tiranës, Presidenti, Bajram Begaj ka përcjellë një mesazh të qartë politik, duke theksuar se e drejta e qytetarëve për të shprehur publikisht shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore është e mbrojtur nga Kushtetuta.
"Në moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t'u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike, është një vlerë e mbrojtur nga kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit, mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve, për të vepruar në përputhje me kushtetutën dhe interesin kombëtar dhe atë publik. Korniza kushtetuese së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë, përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë. Si president i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes europiane dhe përkatësisë dhe vlerave euroatlantike të vendit.
Të nderuar pjesëmarrës, ky jubile na fton të mendojmë për rëndësinë që administrata publike ka për qytetarët. Të kërkojmë më shumë nga vetja, të kërkojmë më shumë edhe nga njerëzit e shërbimit publik. Të rrisim cilësinë, sepse duke rritur cilësinë ne forcojmë besimin. Gëzuar 100-vjetorin e prefekturës së Tiranës", u shpreh Begaj.

