"Protestat në Shqipëri, model qytetarie", Xhuti: Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje tregon “shumicën e heshtur”

Studiuesi i shkencave politike në SHBA, Florian Xhuti, deklaroi në emisionin "Drejt", në "Ora News" se protestat në Shqipëri po shihen si një model qytetarie dhe organizimi, ndërsa theksoi se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje tregon ekzistencën e një “shumice të heshtur” që ka braktisur klasën politike.

" Është e vërtetë, protesta ka patur jehonë të madhe për mënyrën sesi po zhvillohet, për pjesëmarrjen, edhe për raportimet që vijnë nga mediat shqiptare, nga social mediat. Po dhe për grupmoshën e cila e nisi këtë protestë, e cila njihet si ajo që është gjenerata Z dhe më tej ju bashkuan edhe prindërit e tyre.

E para nga aspekti i politologjisë, ashtu si ju të thatë, protesta në Shqipëri konsiderohet nga studiuesit ose të paktën në këto ditë si një shkollë se si duhet zhvillohet një protestë. Në Shtetet e Bashkuara, në vende të tjera, zhvillohen protesta po përfundojnë në dhunë, përfundojnë në përplasje. Ndërkohë në Tiranë ju po shikoni, edhe ne po e shikojmë, që atje ka manifestime entuziazmi, ka manifestime qytetarie, ka manifestime të cilat njerëzit në rrjetet sociale, ato që nuk janë shqiptarë, luten dhe thonë "Ku është Shqipëria, aman më çoni në Shqipëri".

Domethënë, marketingu që kjo protestë i ka bërë Shqipërisë është shumë herë më i madh sesa ato qindra mijëra euro që mund të hidhen në vit nga qeveria për të bërë reklama te mediat apo atje ku ata e kanë bërë. Klima në Shqipëri është shumë tërheqëse dhe shumë pozitive. Gjithsesi unë do kthehem pak te tema që ju po trajtonit në studio. Në një moment që ju hoqët një paralele midis situatës në Shqipëri sot edhe situatës në Shqipëri në vitet '90. Unë i kam jetuar të dyja epokat, shyqyr Zotit, edhe mund t'ju them që në Shqipëri në vitet '90, në '98, në '88 pati një demonstratë që u quajt demonstrata e heshtur. Ju kujtohet besoj?

Në Shqipëri përsëri këtë vit, pati një demonstratë që unë mund ta quaj demonstratë të heshtur. Në gjashtë bashkitë e Shqipërisë u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme për kryetar bashkie. Dakord? Sa ishte pjesëmarrja atje ju kujtohet? I keni shifrat? 18 deri në 20%. Ku është pjesa tjetër? Është pjesa e heshtur që braktisi klasën politike", u shpreh Xhuti.

Ndiqni intervistën e plotë:

EMISIONET